Ligji për legalizimin e objekteve pa leje kontestohet edhe nga ekspertët

Debati për ligjin për legalizimin e objekteve të jashtëligjshme zbardhi kritikat e arkitektëve, inspektorëve të mjedisit dhe juristëve për ligjin në fjalë. Në kundërshtim me atë që pretendon Qeveria, ekspertët thonë se ligji, i tillë si është miratuar, nuk favorizon vetëm kategoritë e rrezikuara sociale por favorizon personat që me vetëdije kanë ndërtuar madje më shumë objekte të këtilla. Inspektorati i mjedisit ngrit shqetësimin për ndërtimet në zonat e mbrojtura.
https://www.youtube.com/watch?v=tI8h_Nqmnbg
Çfarë do të ndodhë me hapësirat e veprimtarive? Çfarë do të ndodhë me vikend shtëpizat? Vikend shtëpiza nuk ndërtojnë familjet e rrezikuara sociale dhe vikend shtëpiza kemi edhe në zonat e mbrojtura. Duhet të merret një qëndrim i prerë nëse duhet të legalizohen vikend shtëpizat në zonat e mbrojtura dhe çfarë do të ndodhë me ata zona të cilat për momentin nuk janë zona të mbrojtura me ligjin për mbrojtjen e natyrës?- deklaroi Ana Petrovska, drejtore e Inspektoratit të mjedisit.
Drejtorja e Inspektoratit të mjedisit ngriti çështjen e vikend shtëpizave të cilat sipas saj janë ndërtuar edhe në Mavrovë, zonë e cila akoma nuk është shpallur park nacional.
Profesorët e Arkitekturës thonë se ligji lejon legalizimin edhe të ndërtimeve që ndodhen në zona ku duhet të ndërtohen rrugë dhe autostrada.
Që në fillim të ligjit duhet të theksohet se mund të bëhet përfshirja e ndërtimeve pa leje vetëm nëse janë në përputhje me plane të miratuara urbanistike. Nëse ky ligj u referohet kategorive të rrezikuara sociale, assesi në ligj nuk duhet të përfshihen pishinat, objektet shoqëruese dhe garazhet. Cila familje sociale ka pishinë?- pohoi Divna Pençiç, profesore e Fakultetit të Arkitekturës.
Ish ministrja e Drejtësisë dhe juristja Renata Deskoska thotë se me legalizimin e ndërtimeve e jashtëligjshme në hapësirat urbane ku ka plan urbanistik i cili nuk është respektuar, legalizohet krimi.
Me legalizimin e tyre ju dukshëm legalizoni korrupsionin legalizoni korrupsionin në radhët e inspektorateve, korrupsionin në komuna dhe krimin e atij që ndërton në kundërshtim me ligjet. Nuk mundeni të dërgoni porosi për sundimin e së drejtës me legalizimin dhe amnistimin e një krimi të këtillë.- deklaroi Renata Deskoska, juriste .
Ndërtime të jashtëligjshme, sipas Qeverisë janë mbi 50 mijë në të gjithë vendin. Pushteti është shprehur i gatshëm të rishikojë pjesën e ligjit dhe të kufizojë legalizimin e objekteve të jashtëligjshme që janë ndërtuar në zona të mbrojtura. Pjesa tjetër, sipas tyre, është në të mirë të qytetarëve.
Duam t’u ndihmojmë para së gjithash qytetarëve tanë, asaj kategorie të qytetarëve që kanë ndërtuar kulm mbi kokë dhe nuk kanë pasur mundësi që me procedura të zakonshme të ndërtojnë, nëpërmjet dhënies së miratimit për ndërtim, si dhe miratimin për blerjen e tokës së urbanizuar që e japin komunat në zona të urbanizuara.”- tha Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit.
Ky debat u organizua nga Komisioni kundër korrupsionit.
Ligji i miratuar nga Kuvendi më 11 maj u kontestua dhe nuk u dekretua nga Presidenti Stevo Pendarovski i cili e konsideroi se jokushtetues dhe në kundërshtim me disa ligje të tjera. Ai duhet të kthehet në rishqyrtim në Kuvend.
Fatlume Dervishi