Liverpulli largon Nunjezin për të angazhuar sulmuesin e Lajpcigut

Ndryshime interesante pritet të ketë në repartin ofensivë të Liverpullit për sezonin e ardhshëm. Kampioni në fuqi i Anglisë pritet të largojë sulmuesin uruguaian Darvin Nunjez dhe tanimë ka gjetur zëvendësuesin e tij. Ylli slloven i RB Lajpcig, Benjamin Sesko është bërë objektivi kryesor i “The Reds” për të zënë vendin e Nunjezit në “Anfield” sipas asaj që ka raportuar “GiveMeSport”.
Mediat e ndryshme në Ishull kanë raportuar se “The Reds” po shqyrtojnë një transferim të sulmuesit slloven, ndërsa përgatiten për një largim të mundshëm të Nunez, i cili ka luftuar për të përmbushur pritjet.
Nunjez, i cili iu bashkua Liverpullit nga Benfika në vitin 2022, thuhet se po tërheq interes të fortë nga Atletiko Madrid. Diego Simeone thuhet se është i etur ta sjellë uruguaianin në kryeqytetin spanjoll, me ekipin e La Ligës që e sheh atë si një zëvendësim të mundshëm për Anhel Korrea, i cili mund të largohet nga klubi këtë verë.
Meqë thuhet se Liverpulli e ka informuar Nunjezin se ai nuk është në planet e tyre afatgjata, drejtori sportiv Mihael Eduards e ka identifikuar Seskon si një kandidat kyç për të forcuar vijën sulmuese.
Sesko, i cili raportohet se ka një klauzolë lirimi prej 55 milionë funtesh, më parë ishte i lidhur me skuadrat e Premier Ligës si Man. Junajted, Arsenal dhe Çellsi. Benjamin Sesko ka shënuar 20 gola dhe ka dhënë 6 asiste në 42 ndeshje këtë sezon