Lombardia zonë portokalli, lejohen një sërë aktivitetesh sportive dhe tregtare

Plani i masave parandaluese për përhapjen e COVID -19 gjatë sezonit të festave në Itali duket se jep frytet e para. Zona e Lombardisë, më e prekura nga humbjet e jetës prej koronavirus, mori frymë sërish këtë të dielë teksa kaloi nga zone e kuqe në atë portokalli.

Dekreti u firmos nga ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza, sipas të cilit për 15 ditë një sërë aktivitetesh do jene të lira për qytetarët e këtij rajoni. Por vigjilenca nuk duhet ulur theksoi ai.

“Sfida kundër virusit mbetet ende e pa fituar, por java që lamë pas flet për përmirësim të situatës me sëmundjen. Ky është një rezultat inkurajues që do të thotë se masat e marra gjatë Krishtlindjes kanë funksionuar. Duhet të vazhdojmë të bëjmë kujdes që t’i japim kohë në vijim autoriteteve të fokusohen në fushatën e vaksinimit”, deklaroi ministri.

Shtetrrethimi mbetet në fuqi që do të thotë se nga ora 22 deri në 5 askush nuk mund të dalë nga banesa përveçse emergjencave. Por gjatë ditës hapen baret dhe restorantet pavarësisht se nuk mund të ulesh në ambientet e tyre por porosinë e merr me vete. Shërbimi taksi mbetet funksional përgjatë 24 orëve.

Hapen gjithashtu parukeritë dhe qendrat estetike, madje edhe ato tregtare, përjashto ditët e festave ku krijohen dyndje. Por tregtaret ende kanë ankesa që lidhen kryesisht me të shkuarën.
”Kush gaboi, le të paguaje tani. Vlerësimi fillestar si zonë e kuqe i solli humbje të mëdha bizneseve. Një gabim i pafalshëm dhe katastrofik që vendosi mbylljen me forcë te mijëra aktiviteteve tregtare në kulmin e sezonit të uljeve. Sipas llogaritjeve tona, një javë mbyllje përllogaritet me 600 milionë euro humbje, në rajonin e Lombardisë”, deklaroi Ercole Montanari, kreu i Dhomës së Tregtisë.

Me vlerësimin e gabuar ai i referohet vendimit të qeverise me datë 16 janar që e rivlerësoi rajonin si zonë të rrezikut të lartë. Në shenje proteste, një grup sipërmarrësish mbanin me vete produkte të prishura, teksa bllokuan hyrjen e Bashkisë.

Lajmi më i mirë padyshim lidhet me shkollat. Janë 200 mijë nxënës në Lombardi që i përkasin sistemit 9- vjeçar të cilët rikthehen në bankat e shkollës, 360 mijë të tjerë në Liguria, Marke dhe UMBRIA. 400 mijë të tjerë që i përkasin shkollave të mesme pritet të rifillojnë brenda javës.

Lëvizja mes rajoneve mbetet ndërkohë e ndaluar deri më 15 shkurt, por çdo qytetari te zonës i lejohet një vizitë në ditë tek të afërmit dhe lëvizja drejt shtëpive të pushimit.

 

LEXO EDHE:

Back to top button