Londra mohon pretendimet e BE-së për ndalimin e plotë të eksportit të vaksinave

Një zëdhënës i qeverisë britanike mohoi sot një pohim të presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, sipas të cilit Londra ka vendosur një ndalim të plotë të eksportit të vaksinave.

Në një postim në blog, Michel mbrojti regjistrin e ri të eksportit të vaksinave të Bashkimit Europian, që i lejon vendet e Bllokut të bllokojnë dërgesat, nëse besojnë se detyrimi kontraktual i një kompanie ndaj tij nuk është përmbushur, duke drejtuar gishtin ndaj SHBA dhe BM.

“Faktet nuk gënjejnë. BM dhe SHBA kanë vendosur një ndalim të plotë për eksportin e vaksinave ose përbërësve të vaksinave të prodhuara në territorin e tyre, por BE, rajoni me kapacitetin më të madh të prodhimit të vaksinave në botë, ka vendosur thjesht një sistem për kontrollimin e eksportit të dozave të prodhuara në BE”, shkroi ai.

Por Londra me shpejtësi mohoi akuzat për vendosjen e një ndalimi.

“Qeveria britanike nuk ka bllokuar eksportin e asnjë vaksine të vetme COVID-19. Çdo referencë ndaj një ndalimi të eksportit në BM ose ndonjë kufizim i vaksinave janë plotësisht të rreme”, u përgjigj një zëdhënës britanik.

“Kjo pandemi është një sfidë globale dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për zhvillimin e vaksinave vazhdon të jetë një pjesë integrale e përgjigjes sonë”, theksoi ai në një deklaratë me shkrim.

LEXO EDHE:

Back to top button