LSDM: Buxheti i vitit të ardhshëm nuk garanton realizim të projekteve kapitale

LSDM: Buxheti i vitit të ardhshëm nuk garanton realizim të projekteve kapitale

Gazetare: Fatlume Dervishi

Komisioni parlamentar vazhdoi debatin për buxhetin, me përplasje mes pushtetit dhe opozitës. LSDM-ja akuzon se pushteti vazhdon të mburret me projektet e nisura nga LSDM-ja, akuzon për rritje të borxhit publik dhe për ndarjen e më pak mjeteve për kompanitë dhe komunat, sesa që ishin premtuar.

“Ja, të ju pyes, rrugën regjionale Veles-Gradsko kush ua rehabilitoi? Qeveria e kaluar. Rrugën rreth liqenit në Veles kush e rehabilitoi? Qeveria e kaluar kurse ju kishit turp të shkoni atje dhe të thoni i lumtë qeverisë së LSDM-së që bëri projekte edhe për komunat, edhe për qytetarët. Kur jemi të borxhi publik, qeveria e LSDM-së e dorëzoi pushtetin me borxh publik prej 55% kurse sot, pak muaj më vonë, borxhi publik është 65%”, deklaroi Bllagoj Boçvarski, LSDM.

Për pushtetin, propozim-buxheti është forma më e mirë e menaxhimit efikas të tij.

“Kemi dëshmuar se si mund të rriten të ardhurat në buxhet, treguam se çfarë d.m.th. konsolidim fiskal, çfarë nënkupton shkurtim i shpenzimeve joproduktive… Po, një pjesë e shfrytëzuesve të buxhetit janë acaruar se pse u janë shkurtuar disa shpenzime që i kanë pasur në të kaluarën por ne do të dëshmojmë se edhe me më pak mjete në disa ministri do të mundet të realizohet jo vetëm ajo që është planifikuar, por edhe më shumë”, u shpreh Nikollçe Jankullovski, zv. Ministër i Financave.

VMRO-DPMNE-ja pret rritje ekonomike prej të paktën 3.5% gjatë vitit të ardhshëm kurse LSDM-ja kërkon të realizohen investimet e premtuara kapitale.

“Vitin e kaluar e përfunduat me 1.1% rritje ekonomike kurse mburreni me realizim të shpenzimeve kapitale. Atëherë si arritët rritje vetëm 1.1%?”, tha Nikollçe Jankullovski, zv. Ministër i Financave.
“Për projektet kapitale, sot kemi 300 milion euro realizim. Bëni ju 500 ose 600 milion euro ndonjë vit. Atëherë do të themi se keni bërë ndonjë gjë”, theksoi Bllagoj Boçvarski, LSDM.

Të ardhurat në buxhetin e vitit të ardhshëm pritet të jenë në vlerë prej 5.8 miliardë euro, që është 13 për qind më shumë se buxheti i këtij viti. Parashikohet që shpenzimet të arrijnë në 6.5 miliardë euro. Deficiti buxhetor është planifikuar të jetë 4 për qind, ndërsa inflacioni 2,2 për qind.

Për buxhetin ka 308 amendamente, 204 prej të cilave janë nga LSDM-ja dhe 57 nga Fronti Evropian. Debati në komision duhet të zgjasë dhjetë ditë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button