LSDM: Deklarata e punësimeve partiake të Izet Mexhitit është skandal, antikorrupsioni të veprojë urgjent
LSDM: Deklarata e punësimeve partiake të Izet Mexhitit është skandal, antikorrupsioni të veprojë urgjent

Vazhdojnë reagimet pas paralajmërimeve të zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, për punësime masive të shqiptarëve në administratën publike. Nga LSDM e cilësojnë si skandaloze deklaratën e Mexhitit, duke nënvizuar se partizimi masiv që po e paralajmëron ai, është një marrëveshje me Mickoskin edhe atë para zgjedhjeve lokale.
“Pasi Taravari deklaroi se fillimisht është dashur të zgjidhen çështjet etnike, e më pas të diskutohet për ekonominë, tani Mexhiti ka një strategji të re, fillimisht të strehojë kuadrot partiake, e më pas do të flasim për punësimin e personave cilësor dhe të aftë. LSDM pyet, Sipas çfarë kriteresh do të zgjidhen këta 3000 punëtorë? A do të ketë konkurse publike apo tashmë ka një listë të kandidatëve “të përshtatshëm”? A është tashmë kjo listë në tryezën e Hristijan Mickoskit? “, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.
Reagojnë nga VMRO-DPMNE duke i hedhur poshtë këto akuza. Nga atje nënvizojnë se pretendimet për punësimin e 3000 personave nga ana e Qeverisë janë të pavërteta. Sipas tyre, është qesharake që konferencat për media si përgjigje ndaj VLEN-it i mban LSDM dhe jo BDI, gjë që sipas tyre e tregon varësinë e LSDM-së ndaj ish partnerit qeverisës.
“Pretendimet se Qeveria do të punësojë 3000 persona janë tërësisht të pavërteta. Nëse do të ketë punësime, ato do të jenë ekskluzivisht në përputhje me regjistrimin dhe nevojat reale të institucioneve, e jo sipas listës partiake siç bëri LSD. Aq shumë janë të varur nga BDI, sa që një ditë natyrshëm do ta plotësojnë marrëveshjen e vjetër dhe do të bashkohen në një parti”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Gjatë ditës së sotme nuk ka ndonjë reagim të ri nga Mexhiti. Ai ishte paraparë të merrte pjesë në një aktivitet partiak, ku edhe do të prononcohej për mediat, por në moment të fundit, përfaqësuesit e partisë arsyetuan mungesën e Mexhitit me angazhime të tjera politike.
Deklaratën për punësimet e shqiptarëve, Mexhiti e tha ditë më parë, gjatë një aktiviteti të partisë që drejton, Lëvizjes Demokratike. Por kjo u përcoll me reagimin e ministrit të Administratës Publike, Goran Minçev, i cili e porositi Mexhitin të mos sillet si “Liza në Botën e Çudirave”. Mexhiti refuzoi ta komentojë reagimin e partnerit qeverisës, duke u fokusuar në atë se ka vendim të qeverisë që 1.500 personave në shëndetësi kontratat në vepër t’u zëvendësohen me vendime pune.
“Në vazhdimësi ka nevojë për punësime të reja. Kam folur për transformimet e vendimeve në shëndetësi të cilat vite të tëra kanë mbetur, 10 vite, 9 vite me kontratë në vepër. Ka vendim të qeverisë për transformim të vendimeve. Janë 1.500 punësime, poashtu do të vazhdohet edhe në sektorët tjerë”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.
Kujtojmë se prej tetorit të vitit të kaluar, kur edhe Kushtetuesja e shfuqizoi balancuesin, nuk ka mekanizëm që garanton përfaqësimin e drejtë dhe adekuat gjatë punësimeve në administratë. Koalicioni VLEN, në vazhdimësi ka premtuar zgjidhje ligjore për këtë çështje, megjithatë e njëjta ende nuk është gati./Alsat.mk