LSDM dhe e Majta: Ka marrëveshje VMRO-BDI

LSDM dhe e Majta: Ka marrëveshje VMRO-BDI

Gazetare: Fatlume Dervishi

Duke filluar nga nesër dhe deri më 2 shtator, të zgjedhurit e popullit për ligjvënie do të shfrytëzojnë pushimin vjetor i cili zakonisht shfrytëzohet nga 1 gushti, por ishte shtyrë për shkak të rishikimit të buxhetit, shkruan Alsat.

Kjo, sipas shërbimeve të Kuvendit, nuk nënkupton që Kuvendi nuk mund të mblidhet për raste urgjente.

Ndërkohë përpara se të shkonin në pushim, deputetët kishin miratuar disa nisma për ndryshime ligjore dhe vendime të tjera. Një ditë më parë u miratuan ndryshimet në ligjin për urbanizëm i propozuar nga Ministria e Transportit të cilin e kishin kundërshtuar organizata për mbrojtjen e ambientit O2.

Në po të njëjtën seancë me ndryshime ligjore u hoq pozita e drejtorëve ekonomikë të spitaleve si dhe u miratua ligji për ndihmë financiare të njësive të vetëqeverisjes lokale, që komunat të mund të marrin mjete nga buxheti i shtetit për projektet kapitale.

Dy ditë më parë, Kuvendi miratoi edhe rishikimin e buxhetit. Që nga konstituimi, ndër ligjet tjera të rëndësishme që janë miratuar janë edhe ndryshimet në ligjin për vetëqeverisje lokale me të cilin u hap mundësia për zgjedhjen e ushtruesit të detyrës kryetar komune nëse deri në zgjedhjet e rregullta kanë mbetur edhe më pak se dy vjet.

Kuvendi gjithashtu përfundoi interpretimin autentik të ligjit për lojërat e fatit i cili pritet të qartësojë çështjen e dhënies së licencave dhe organizimit të lojërave online.

Çështja që shkaktoi përplasjen e fundit ishte vendimi i Kuvendit për themelimin e Komisionit të përkohshëm për monitorimin e përfaqësimit përkatës dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha bashkësive në institucionet publike. Propozimi ishte i deputetëve të BDI-së mirëpo në Kuvend u mbështet edhe nga VMRO-DPMNE-ja. Një ditë më vonë, nga LSDM-ja akuzojnë për një marrëveshje VMRO-BDI. Formimin e këtij komisioni e kritikoi edhe E Majta.

“Koalicioni VMRO-DPMNE dhe BDI funksionon, janë sërish bashkë. VMRO-DPMNE që premtoi shfuqizimin e balancuesit, duke zbatuar marrëveshjen me BDI-në, e ngriti në një nivel më të lartë, në atë të Kuvendit”, thonë nga LSDM.

“Edhe pse në programin e saj parazgjedhor, VMRO-DPMNE premtoi heqjen e balancuesit të punësimit me çelës etnik dhe mohoi çdo bashkëpunim me BDI-në kriminale, votuesit e DPMNE-së janë sërish të mashtruar dhe të zhgënjyer”, thonë nga e Majta.

Kuvendi nuk ka zbardhur akoma axhendën e pas pushimeve. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button