LSDM dhe E Majta nuk lëvizin nga qëndrimet për Kodin Zgjedhor
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Të hënën ose të martën pritet të prezantohen qëndrimet e LSDM-së, BDI-së dhe Të Majtës lidhur me propozimin e ri të VMRO-DPMNE-së që mërgata të votojë përmes postës, pasi propozimi paraprak që të votohet online nuk ishte i pranueshëm. Megjithatë, vështirë se partitë të lëvizin nga qëndrimet e tyre. Kjo bazuar në komunikatat e fundit partiake ku kundërshtojnë deklaratat e Mickoskit se kërkesat e tyre janë të reja. Dyshojnë se qëllimi i Qeverisë është të vidhen vota përmes diasporës
“Shumë reagime me nervozë nga VMRO kur flitet për Kod të ri Zgjedhor. LSDM dëshiron Kod të ri Zgjedhor por nuk dëshiron ligj për vjedhje të zgjedhjeve sipas masave të Mickoskit. Duam që diaspora të votojë siç ka votuar deri tani, vetëm nuk duam që në vend të diasporës, të votojë Mickoski nga pallati i bardhë“, shprehen nga LSDM.
Nga E Majta pohojnë se nuk është diçka e re kërkesa e tyre për njësi zgjedhore por kërkesë të re e llogarisin kushtin e VMRO-së për votim online të diasporës.
“Kërkesat tona ishin para se gjithash një njësi zgjedhore dhe shfuqizim i reklamimit të paguar politik, por u refuzuan. Një njësi zgjedhore nuk është kërkesë e re e Së Majtës e shpikur brenda natës, për këtë flitet me dekada. Mashtrimi më i madh për të cilin DPMNE insiston është se votimi elektronik i diasporës është çështja më e rëndësishme për demokracinë e Maqedonisë. Nuk është dhe asnjëherë nuk ka qenë. Nuk është propozim i OSBE/ODIHR e as që ishte shkak për formimin e grupit të punës. Kjo u shpik në ditën e fundit të grupit të punës e për çka nuk kishte konsensus”, thonë nga E Majta.
Dy partitë E Majta dhe LSDM me qëllim për t’i bllokuar ndryshimet e Kodit, bashkërisht kanë dorëzuar 13,500 amendamente./Alsat.mk








