LSDM kërkon hetim nga Prokuroria për tenderin e policisë
LSDM kërkon hetim nga Prokuroria për tenderin e policisë

Gazetar: Mihajllo Donev
Opozita kërkoi procedurë urgjente nga Prokuroria Publike, marrjen në pyetje të të gjithë personave të përfshirë në tenderin për prokurimin e uniformave dhe zbardhjen e rastit, në lidhje me tenderin për prokurimin e uniformave në Ministrinë e Brendshme. Opozita vazhdon me akuzat se tenderi u fitua nga një kompani e themeluar 20 ditë më parë, pa përvojë, dhe në pronësi të mikes së gruas së Toshkovskit, kështu që tani kërkojnë që autoritetet ta hetojnë procedurën.
“Hetimi i veprave të mundshme penale: abuzim me detyrën zyrtare, kurdisje tenderësh, pastrim parash. Anulimi i gjithë tenderit. Për më tepër, kërkojmë që rezultatet dhe krahasimet e mostrave pas analizave të tilla të publikohen. Cilat kanë qenë kriteret për analizimin dhe krahasimin e mostrave nga kompani të ndryshme, cili ka qenë rezultati për secilën kompani dhe si janë vlerësuar të gjithë pjesëmarrësit në tender? Qytetarët meritojnë përgjigje”, tha Metodija Ilievski, nënkryetar i LSDM-së.
Toshkovski i hodhi poshtë akuzat dhe u bëri thirrje autoriteteve ta hetojnë procedurën e tenderit për këtë rast.
“E inkurajoj prokurorinë publike që të hapë procedurë për çdo rast të vetëm në të cilin beson se ka ndonjë paligjshmëri, dhe e inkurajoj opozitën që të vazhdojë të ngrejë tema që janë me interes për publikun. Por gjithashtu i inkurajoj ata të punojnë në interes të qytetarëve maqedonas dhe jo me çdo kusht të përpiqen të denigrojnë atë që e bëjmë ne si Ministri e Brendshme”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Ditë më parë LSDM akuzoi se tenderi me vlerë gati 4 milionë euro po u jepet kompanive të dyshimta – studio mode nga Manastiri që është regjistruar si kompani vetëm 20 ditë para se të shpallej tenderi. Opozita pretendon se kjo kompani ka pasur vetëm dy punonjës. Ministri Pançe Toshkovski i mohoi këto pretendime dhe dje shpjegoi nëpërmjet rrjeteve sociale se tenderi është fituar nga ofertuesi më i mirë dhe se nuk bëhet fjalë për asnjë krim./Alsat.mk