LSDM vazhdon akuzat në adresë të kreut të ri të ASK-së, Bojan Hristovski
LSDM vazhdon akuzat në adresë të kreut të ri të ASK-së, Bojan Hristovski

Gazetar: Zekirja Haxhiu
LSDM shprehë shqetësime lidhur me emërimin e drejtorit të ri të ASK-së, Bojan Hristovski, duke e quajtur këtë veprim si kidnapim partiak. Venko Filipçe, tha se derisa ishin në ekzekutiv kanë investuar shumë për ta profesionalizuar këtë institucion. Tani Mickoski po vepron sikurse vepronte paraardhësi i tij partiak, Nikolla Gruevski akuzoi Filipçe.
“Ajo që e bënë kryeministri dhe Qeveria me emërimin e drejtorit të ri të ASK-së, e bënë me një manirë të diktaturës dhe bënë kidnapim partiak të një prej institucioneve më serioze. Ne do t’i njoftojmë të gjithë partnerët tanë strategjik dhe do të kërkojmë mendim dhe reagim të duhur nga ana e tyre. Por njëkohësisht thërrasim edhe presidenten Siljanovska Davkova të ndërmarrë qëndrim të saj dhe të parandalojë fuzionimin e paralajmëruar të ASK-së dhe Agjencisë për Zbulim”, tha Venko Filipçe – LSDM.
Nga LSDM thonë se Hristovski nuk ka as certifikatë të sigurisë, as dokument për njohje të gjuhës angleze e as të dhëna precize për përvojën e tij pesë vjeçare të punës të cilën e ka shënuar në biografinë e tij.
Megjithatë nga VMRO DPMNE nuk pajtohen me këto akuza. Publikojnë fotografi të vjetra, ku si pjesë e bordit ekzekutiv të LSDM-së, shihet edhe ish drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski.
“LSD kishte partizuar ASK-në, VMRO-DPMNE e departizon. Viktor Dimovski ishte anëtar i bordit eksekutiv dhe të këshillit diplomatik të partisë. Këto janë marrë nga internet faqja e LSD-së, emri i Viktor Dimovskit si anëtar i bordit ekzekutiv të LSD-së është menjëherë pas kryetarit të atëhershëm të partisë, Branko Crvenkovski. Viktor Dimovski është po aq LSD sa janë dhe Zoran Zaev e Venko Filipçe”, tha Brane Petrushevski – VMRO-DPMNE.
Dyshime për Hristovskin ndërkohë kanë edhe nga BDI. Sipas tyre, Hristovski në fillim të vitit 2023 ishte emëruar kryetar i komitetit të VMRO-së në qytetin e Shkupit. Me këtë, nga BDI dyshojnë se intenca është që institucionet e sigurisë të kthehen në çerdhe partiake. /Alsat.mk