LSM kërkon rritje të menjëhershme të pagës minimale në 600 euro dhe ulje të pagave të funksionarëve

LSM kërkon rritje të menjëhershme të pagës minimale në 600 euro dhe ulje të pagave të funksionarëve

Gazetar: Angell Dimovski

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka dorëzuar nismë në Kuvend, me të cilën kërkon që pagat e funksionarëve të llogariten mbi bazën e pagës minimale, në vend të asaj mesatare, si dhe uljen e koeficienteve për 40 për qind. Përveç kësaj, sindikata kërkon rritje urgjente të pagës minimale në 600 euro. Kryeministri thotë se ata nuk e refuzojnë rritjen e pagave në administratë, por kanë një propozim tjetër.

“Ne propozojmë që kjo shumë të rritet për 8% shtesë dhe kjo do të japë rezultat X të holla. Vitin e ardhshëm në mars, të supozojmë se përsëri rritja e pagës minimale do të jetë 1500 denarë, X paratë e mia do t’i rrisim për 1500 denarë dhe atë shumë do ta rrisim për 8% shtesë dhe do të marrim Y të holla. Në vitin e tretë, në mars 2028, të supozojmë se përsëri paga minimale do të rritet për 1500 denarë dhe këto Y para do t’i rrisim për 1500 denarë dhe këtë mbledhje do ta rrisim për të tretën herë me 8% dhe do të marrim Z të holla. Këto Z para janë minimum 40% më shumë se ato 30 mijë me të cilat kemi filluar”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Nga ana tjetër, nga Oda e zejtarëve sot deklaruan se druajnë se rritja e pagës minimale do të çojë në largime të punonjësve dhe mbyllje të dyqaneve të tyre.

“Me rritjen e pagës minimale menjëherë do të përballemi me probleme, sepse ditën tjetër zejtari do të duhet të rrisë shërbimet e tij, do të duhet të rrisë produktet që do t’i ofrojë në treg, e kjo do të jetë goditje për qytetarët. Me rritjen e pagës minimale, zejtarët do të ndiejnë pamundësi për të paguar kontributet dhe do të përballen me probleme të mëdha dhe mbyllje të bizneseve të tyre”, u shpreh Goran Ristovski – kryetar i Odës së zejtarëve të Shkupit.

LSM ka paralajmëruar se të martën do të bllokojë Kuvendin, me arsyetimin se deputetët nuk e kanë votuar Ligjin për rritjen e pagës minimale. Pastaj të enjten do të bllokojë Odën Ekonomike, ndërsa më 17 shkurt do të bllokojë Qeverinë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button