Lufta e Maqedonisë kundër korrupsionit shënon rënie për 12 vende
Lufta e Maqedonisë kundër korrupsionit shënon rënie për 12 vende

Gazetar: Mihajllo Donev
Për dy pikë më pak dhe një rënie prej 12 pozicionesh në krahasim me vitin 2023, Maqedonia e Veriut është renditur e 88-ta nga 180 vende sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2024 të publikuar nga Transparency International. Skandalet në Këshillin Gjyqësor dhe në Këshillin e Prokurorëve Publikë janë përmendur si faktorët kryesorë të vlerësimit të dobët.
“Këto rezultate negative janë pasojë e numrit të madh të skandaleve të ndodhura vitin e kaluar, veçanërisht në fushën e gjyqësorit, Këshillit Gjyqësor dhe Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, mosndëshkueshmërisë së korrupsionit të nivelit të lartë në lidhje me personat në poste publike, indikacionet për ndikim politik në gjyqësor, kontrolli i dobët i Këshillit Gjyqësor mbi gjyqtarët dhe 40 rekomandimet e misionit vlerësues të Bashkimit Evropian, shkelja e ligjit me përzgjedhjen e kandidatëve për akademinë për gjykatës dhe prokurorë publikë gjatë zgjedhjeve”, deklaroi Bllagoja Pandovski, Drejtor i Transparency International Maqedoni.
Partitë, megjithatë, e interpretojnë ndryshe rezultatin. Për kryeministrin Mickoski raporti është logjik, madje priste që të jetë më i keq, thotë se është pasojë e qeverisjes së kaluar dhe se politikat e këqija nuk do të përsëriten në të ardhmen.
“Nuk do të kemi tjetër “Soravia” në qendër të Shkupit, nuk do të kemi më ndryshim të Kodit Penal me keqpërdorimin e flamurit evropian, nuk do të kemi “Bentley”, “Aston Martin”, Rolls Royce të familjarëve tanë. Nuk do të kemi tenderë të kurdisur, parcela për termocentrale fotovoltaike që u jepen zyrtarëve të lartë të qeverisë, e kështu me radhë e kështu me radhë. E gjithë kjo është shënuar këtu dhe është bazë e mirë që ne të vazhdojmë të monitorojmë nëse do të përparojmë, do të jemi më të mirë apo do të jemi më keq”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Në këtë listë në vitin 2023, vendi kishte 2 pikë më shumë, por ishte në vendin e 76-të, kështu që sipas LSDM-së, kjo është dëshmi se atëherë perceptimi i korrupsionit ishte shumë më i ulët dhe për rezultatin aktual gishtin e drejtuan nga VMROD-DPMNE.
“Kjo qeveri premtoi “luftë të pamëshirshme kundër korrupsionit”, por për vetëm tetë muaj arriti ta sjellë Maqedoninë në pozitën më të dobët të shkallës në pesë vitet e fundit. Përgjegjësia për këtë dështim i takon Qeverisë. Në vend që të gënjejë publikun me premtime dhe propaganda boshe, duhet të demonstrojë masa sistematike”, thonë nga LSDM.
Rezultatet e Maqedonisë nuk janë të mira as në nivel rajonal. Shqipëria është para nesh në vendin e 80-të me 42 pikë, e ndjekur nga Kosova në vendin e 73-të me 44 pikë dhe Mali i Zi renditet më i miri me 46 pikë në vendin e 65-të. Vendet e vetme në rajon me pikë më të ulëta në këtë listë janë Serbia, e cila është në vendin e 105-të me 35 pikë dhe Bosnja dhe Hercegovina, e cila është në vendin e 114-të me 33 pikë. /Alsat.mk