“Lufta në Ukrainë mund të përfundojë shumë shpejt”
“Lufta në Ukrainë mund të përfundojë shumë shpejt”

Kryeministri sllovak, Robert Fico beson se lufta në Ukrainë do të përfundojë shumë shpejt.
“Ekziston një probabilitet i lartë që lufta në Ukrainë të përfundojë në një periudhë të shkurtër kohore. Unë pres disa indikacione nesër, sepse papritmas u shfaq tema e ftesës së Ukrainës në NATO”, tha ai në komisionin parlamentar.
Fico do të marrë pjesë në samitin e Bashkimit Evropian. Aty do të jetë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili është ftuar t’u shpjegojë planin e fitores udhëheqësve evropianë.
Lideri ukrainas për herë të parë sot në parlamentin e vendit të tij i shpalli detajet e Planit të Fitores, shkruan Reuters.
Plani përfshin pesë pika – ftesën për anëtarësim në NATO, aspektin mbrojtës, parandalimin jobërthamor të agresionit rus, aspektin ekonomik dhe arkitekturën e sigurisë pas luftës. Tri shtesa të planit kanë mbetur konfidenciale, por janë ndarë me partnerët perëndimorë.
Fico ka thënë vazhdimisht se do të bllokojë hyrjen e Ukrainës në NATO për sa kohë të jetë kreu i qeverisë sllovake.
Që kur fitoi zgjedhjet e vjeshtës së kaluar, Fico ka ndryshuar politikën e qeverisë së mëparshme për të ofruar mbështetje materiale për Ukrainën në luftën e saj me fuqinë agresore dhe në vend të kësaj premtoi se qeveria nuk do të dërgonte “asnjë plumb të vetëm” në Ukrainë.