Lufta Rusi-Ukrainë, pasoja të mëdha ndaj ekonomisë
Gazetare: Andrea Çobanova
Pasojat për ekonominë globale pas shpalljes së sanksioneve më të ashpra kundër Rusisë janë të pallogaritshme. Kësti i dytë i sanksioneve kundër Rusisë i miratuar pas takimit të vendeve anëtare të BE-së përfshin bankat ruse që në të ardhmen nuk do të mund të marrin hua nga BE-ja dhe nuk do të tregtohet me aksionet e tyre. Sanksionet mbulojnë gjithashtu sektorin e energjisë, i cili do të ndërpresë furnizimin me pjesë rezervë dhe teknologji të tjera aviacionin rus.
“Kjo paketë përfshin sanksione financiare që synojnë 70 për qind të tregut bankar rus dhe kompanive kryesore shtetërore. Po synojmë sektorin e energjisë, zonë kryesore ekonomike që është veçanërisht e dobishme për shtetin rus”, deklaroi Ursula von der Leyen – Presidente e Komisionit Evropian.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk kanë arritur marrëveshje për ta përjashtuar Rusinë nga sistemi financiar SWIFT, i cili ka më shumë se 10,000 institucione financiare dhe korporata në më shumë se 200 vende. Shtetet anëtare ranë dakord që ky do të ishte hapi i fundit drejt Rusisë, e cila do të ishte një vend i izoluar për sa i përket shkëmbimeve financiare.
Reciprocitet në sanksione u njoftua edhe nga Moska. “Hakmarrja nuk do të jetë identike me sanksionet kundër Rusisë, por jemi të vetëdijshëm për dobësinë e Perëndimit dhe kemi përgatitur një paketë të tërë sanksionesh që do ta zbatojmë”, tha Valentina Matviyenko, kryetarja e parlamentit rus.
Çmimi i naftës sot tejkaloi 100 dollarë për fuçi, por OPEK tha se është shumë herët për të ndërmarrë masa.
“Situata është vërtet e ndërlikuar dhe e paqëndrueshme, por tregu ka nevojë për më shumë kohë për të marrë vendim”, thonë nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës.
Në bursat botërore ditën e sotme çmimi i gazit natyror ka rënë në 1200 dollarë për 1000 metër kub pasi ditën e djeshme arriti në 1400 dollarë dhe çmimi i aksioneve që ishin në kolaps, gradualisht po rritet. Çmimi i grurit mbetet në një rekord të lartë siç pritej pasi Ukraina dhe Rusia ofrojnë pothuajse 30% të eksporteve botërore të grurit dhe 20% të rezervave botërore të misrit. /Alsat.mk








