Luis Enrike drejt Anglisë, për të drejtuar skuadrën londineze

Pas merkatos marramendëse që skuadra e Çellsi bëri në janar të këtij viti, klubi duket se dëshiron të bëjë edhe një investim të madh në stafin drejtues. Për këtë arsye, sipas të përditshmes britanike “The Sun”, klubi londinez po studion mundësinë që të afrojë trajnerin spanjoll Luis Enrike.
Ky i fundit ka drejtuar kombëtaren spanjolle, me të cilën divorcoi pas përfundimit të botërorit “Katar 2022” dhe aktualisht është i lirë.
Enrike ka pranuar disa herë se dëshiron të nisë nga puna në drejtimin e një klubi të madh, por jo duke marë një ekip në mes të sezonit, por në fillimin e tij. Për këtë arsye, te Çellsi po mendojnë t’ia besojnë atij drejtimin e skuadrës sezonin e ri, duke larguar trajnerin aktual Graham Potter. Ky i fundit nuk po bind klubin dhe tifozët e Çellsit, që është jashtë zonës së Ligës së Kampionëve. Duket se klubi do ta lërë deri në fund të sezonit, për ta larguar.
Luis Enrike shihet si personi i duhur për të rikthyer Çellsin në lavdi, teksa trajneri spanjoll pat fituar me Barcelonën si titullin kampion në La Liga ashtu dhe Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve. Palët kanë nisur kontaktet e para, por në mes të sezonit nuk do të bëhet asnjë lëvizje për t’i dhënë mundësi Poterit të rikuperojë.