Lumir Abdixhiku e konfirmon kandidaturën për kryetar të LDK-së





Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka konfirmuar kandidaturën për kryetar të LDK-së në zgjedhjet e brendshme të 14 marsit që do të mbahen nga ky subjekt politik.Abdixhiku një gjë të tillë e ka konfirmuar me anë të një postimi në ‘Facebook’, teksa ka thënë se garimin ia kanë kërkuar figura të rëndësishme të LDK-së.
“Thirrjet më vijnë nga delegatë, veprimtarë e votues nga të gjitha qytetet e Kosovës; nga të gjitha gjeneratat e kontribuesve; nga të gjitha rajonet. Më 14 mars, do ta pranoj këtë kërkesë e këtë propozim si privilegj dhe si përgjegjësi. Të dielën, më 14 mars, do të kandidoj për Kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, shkroi ish-ministri i Infrastrukturës në ‘Facebook’.
Përveç Abdixhikut, zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK-së e ka bërë të ditur edhe anëtari tjetër i kryesisë së kësaj partie, Anton Quni.



