M-NAV, Bekim Neziri del nga arresti shtëpiak

M-NAV, Bekim Neziri del nga arresti shtëpiak

Gazetar: Adrian Kerimi

Gjykata e Apelit i ndërpreu masën e arrestit shtëpiak, kreut të degës së BDI-së në Çair, Bekim Neziri. Në arsyetimin e gjykatës së shkallës së dytë thuhet se vendimi i Penales nuk ka bazë pasi nuk ka dyshime dhe indikacione se Bekim Neiziri në cilësinë e të dyshuarit për sulmin e 4 janarit në M-NAV mund të arratiset apo të ndikon në hetim. Masa e arrestit shtëpiak është hequr edhe për të dyshuarin Almir Ramdedoviq.

“Është vlerësuar se në vendimet paraprake nuk ka dëshmi dhe as nuk janë vërtetuar fakte dhe rrethana të cilat dëshmojnë rrezik real për arratisje nga të dyshuarit, pengesë e procedurës penale përmes ndikimit tek dëshmitarët dhe bashkëpjesëmarrësit, përfshi edhe rrethanat nga të cilat buron dyshimi se mund ta përsërisin veprën penale”, thonë nga Gjykata e Apelit.

Gjykata e Apelit është arsyetuar me faktin se në vendimin e tyre ka ndikuar edhe propozimi i Prokurorisë së Lartë e cila ka referuar se ankesat e të dyshuarve duhet të pranohen dhe masat e kujdesit të tjetërsohen, përkatësisht të lehtësohen. Opozita vlerëson se kjo është fytyra e vërtetë e të ashtuquajturit “Fronti Evropian” i paralajmëruar. Sipas Hristijan Mickoskit, ky front po i vë në funksion gjykatësit dhe prokurorët të cilët i ka emëruar dhe sistemuar në gjyqësor.

“Kjo është dëshmia e reformave që i ofron Fronti Evropian. Me grushte sulmojnë objekte strategjike, rrezikojnë komunikacionin ajror dhe sigurinë e qiellit të Maqedonisë dhe ja pas dy javësh i shihni se si shëtisin të lirë. Kanë gjykatësit dhe prokurorët e tyre. Por unë e di që na pret shumë punë dhe mbështetja juaj si media na duhet më shumë se asnjëherë në periudhën që pason”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DMMNE-së.

Bekim Neziri dhe shtatë të dyshuar të tjerë më 4 janar u futën dhunshëm dhe jashtë protokolleve të sigurisë në objektin e M-NAV. Ata dyshohen për veprën penale “cenim i komunikacionit ajror”. Prokuroria Publike kërkoi masën e paraburgimit, por Gjykata Penale i shqiptoi vetëm arrestin shtëpiak dhe masa kujdesi. Një raport fillestar i Agjencisë së Fluturimeve civile ditën kritike në M-NAV ka konstatuar se janë shkelur protokollet e sigurisë, por nuk është rrezikuar qendra e kontrollit të fluturimeve dhe nuk ka pasur pasoja në linjat ajrore. Incidentit në M-NAV i paraparin mosmarrëveshjet mes drejtuesve të këtij institucioni dhe sindikatës mbi konkursin për punësimin e kontrolloreve./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button