Macron: 40 milion francezë kanë marrë së paku dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19

Numri i njerëzve në Francë që kanë marrë së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, ka kaluar 40 milionë, tha të hënën presidenti i këtij vendi, Emmanuel Macron.

- Advertisements -

Pasi katër milionë njerëz e kanë marrë vaksinën gjatë dy javëve të fundit, rreth 60 për qind e popullsisë tani është e vaksinuar pjesërisht ose plotësisht, shkroi Macron në Twitter.

“Të gjithë së bashku do ta mundim virusin. Do të vazhdojmë më tej”, tha ai.

Komentet vijnë disa orë pasi Parlamenti i Francës miratoi legjislacionin që i bën vaksinat kundër koronavirusit të detyrueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe e zgjeron listën e vendeve që kërkojnë të ashtuquajturën leje shëndetësore.

Ligji u jep punëtorëve të kujdesit shëndetësor kohë deri më 15 shtator që të vaksinohen – në të kundërtën, rrezikojnë pezullimin.

Leja shëndetësore, që tregon se njerëzit janë vaksinuar kundër koronavirusit, janë shëruar prej tij ose kanë rezultuar negativë gjatë testimit, do të kërkohet për hyrje edhe në restorante e bare.

Ajo tashmë kërkohet për hyrje në muze, kinema, pishina dhe vende të tjera që tërheqin turma të mëdha.

Leja ka hasur në kundërshtimin e ashpër të disave, të cilët besojnë se ajo i dëmton liritë civile.

Në protestat e fundjavës kundër rregullave të reja, mbi 160,000 njerëz janë mbledhur në Paris dhe dhjetëra prej tyre janë arrestuar.

Franca është një nga vendet më të prekura në Evropë nga koronavirusi.

Mbi gjashtë milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 111,000 kanë vdekur.

LEXO EDHE:

Back to top button