Madonna dhe Elton John bëjnë paqe pas dekadash tensioni

Madonna dhe Elton John bëjnë paqe pas dekadash tensioni

Pas një marrëdhënieje të ftohtë që ka zgjatur më shumë se 20 vjet, këngëtarët e njohur, Madonna dhe Elton John kanë vendosur të lënë pas të shkuarën dhe të pajtohen. Lajmi u konfirmua nga vetë Madonna përmes një postimi në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram.

“Më në fund e varrosëm sëpatën”, ka shkruar ajo, raporton The Guardian.

Mbreti dhe mbretëresha e muzikës pop u përballën me një tension të hapur që prej vitit 2002, kur Elton John e quajti këngën e Madonnas për filmin “Die Another Day” si “këngën më të keqe që është bërë ndonjëherë për franshizën ‘James Bond’”, sipas CBS News.

Në vitin 2004, gjatë ndarjes së çmimeve “Q Awards”, ai i pati fryrë zjarrit edhe më shumë.

“Madonna, ‘akti më i mirë live’? Ndalu!”, pati thënë ai, ndërsa e akuzoi gjithashtu se nuk këndoi live gjatë performancave të saj.

Për vite me radhë, dy artistët shkëmbyen deklarata thumbuese në publik, por gjithçka ka ndryshuar kur Madonna e pa Johnin duke performuar në “Saturday Night Live” së bashku me këngëtaren Brandi Carlile.

Në rrëfimin e saj, Madonna kujtoi me mall një moment të rinisë.

“Kur isha në gjimnaz, dola fshehurazi nga shtëpia për ta parë Johnin live në Detroit. Ishte një natë e paharrueshme që më ndryshoi jetën”, ka thënë mbretëresha e popit.

Ajo ka shtuar se John e ka ndihmuar të kuptonte që “ishte në rregull të ishe ndryshe, të jesh e veçantë, të ecje në një rrugë tjetër, madje ishte thelbësore”.

Këngëtarja ka rrëfyer se ishte prekur për dekada nga komentet negative të një artisti që e kishte admiruar që në rini.

“Më lëndonte që dikush që e kisha idhull shprehte publikisht përbuzje për mua si artiste. Nuk e kuptoja”, ka thënë ylli.

Pavarësisht gjithçkaje, ajo vendosi ta takonte Johnin në prapaskenë, ku kolegu i kërkoi falje dhe e përqafoi.

“Më kërkoi ta falja dhe më tha se kishte shkruar një këngë për mua. Madje dëshironim të bashkëpunonim”, ka treguar ajo.

“Faleminderit që erdhe të më shihje në SNL dhe që më fale për fjalët që kisha thënë. Nuk jam krenar për ato që kam thënë”, ka shkruar John në Instagram.

Ai lavdëroi rolin e Madonnas në luftën kundër HIV/AIDS gjatë viteve ‘80 dhe shtoi se “ajo ka bërë punë që ka hapur rrugën për një brez të tërë këngëtaresh”.

Ai tutje është shprehur mirënjohës që mund të ecin përpara. Ka thënë se njerëzit po jetojnë në një kohë gjithnjë e më të ndarë dhe kjo e shqetëson thellë.

“Shpresoj të bëjmë gjëra të mëdha së bashku për ata që kanë nevojë për mbështetje”, ka thënë ndër të tjera John.

Për momentin, nuk është konfirmuar ende një bashkëpunim konkret mes dy ikonave, por John i ka thënë Madonnas se ka shkruar një këngë posaçërisht për të, duke rritur pritshmëritë për një duet që mund të shënojë një nga momentet më të mëdha në historinë e muzikës pop.

LEXO EDHE:

Back to top button