Makina më të shpejta në vijë të drejtë dhe sërish mbetet dilema në kthesa
Çmimi i Madh i Australisë është pranë dhe do të shënojë një rinisje historike për Formulën 1. Koha e diskutimeve, dyshimeve dhe pyetjeve do t’i lërë vendin aksionit të vërtetë në pistë, aty ku do të vendoset suksesi i epokës së re të kategorisë mbretërore të automobilizmit.
Sfida është e madhe: të bindë pas një dimri ku disa pilotë kanë shprehur rezerva pas testimit të njëvendësheve të reja, të cilat janë më të vogla dhe më të lehta. Por kërkojnë një kompromis të vazhdueshëm mes menaxhimit të energjisë, rikuperimit dhe performancës, duke krijuar një panoramë krejt ndryshe nga ajo e mëparshmja.
Opinionet janë të ndara, por treguesi më i sigurt mbetet pista. Deri tani, më i shpejti ka qenë Sharl Lëklerk me kohën 1:31.992, pak më shumë se dy sekonda më ngadalë se 1:29.841, koha e “pole position” e Oskar Piastrit me makinat e vitit 2025. Ajo ishte një gjeneratë në vitin e saj të fundit, e rafinuar në maksimum. Pra, diferenca nuk është aq dramatike sa mund të mendohej.
Simulimet e para krahasuese tashmë ekzistojnë. Një prej tyre, nga “Just Formula Car”, tregon diferencat mes rekordit të para-sezonit 2025 të Sainzit dhe kohës së Lëklerkut. Makina e vitit 2026 është jashtëzakonisht e shpejtë në vijë të drejtë (edhe pse jo me 400 km/h siç sugjeronte me entuziazëm Toto Volf), por humbet terren në kthesa. Që nga kthesa e parë, makinat me efekt tokësor ruajnë epërsinë, duke thelluar diferencën në sektorin final me kthesa më të gjera dhe më pak teknike. Në thelb, janë dy botë të ndryshme dhe në Formula 1 2026, puna sapo ka filluar.









