Maksuti: Shkarkimi i gjykatëses kushtetuese Elizabeta Dukovska lë hapësirë për rihapje të lëndëve

Maksuti: Shkarkimi i gjykatëses kushtetuese Elizabeta Dukovska lë hapësirë për rihapje të lëndëve

Shkarkimi i gjyqtares kushtetuese Elizabeta Dukovska e cila dy vite ka ushtruar funksionin edhe pse zgjedhja e saj ka qenë e paligjshme, ka krijuar sfidë të re juridike. Profesori i të drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti nuk ndan mendimin e njëjtë me Gjykatën Kushtetuese, prej ku informojnë se vendimet e votuara me votën e gjyqtares Dukovska, nuk do të rishqyrtohen pasi të njëjtat janë përfundimtare dhe ekzekutive. Maksuti, thekson që pavarësisht se kjo është një sfidë e re për Gjykatën Kushtetuese, mbi parimet e së drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare në këto situata lënë hapësirë që të rihapen lëndët.

“Çdo vendim në të cilin ka votuar gjykatësja në Gjykatën Kushtetuese, duhet edhe njëherë të shqyrtohet në mënyrë individuale. Secili vendim duhet të shqyrtohet në mënyrë veç e veç. Ato nuk mund të hidhen apriori të gjitha vendimet, të shpallen të pavlefshme, kur ajo ka votuar dhe ka marrë pjesë. Por duhet rishikuar edhe njëherë në të gjitha rastet një nga një, të shihet vërtetë se vota e saj a ka qenë përcaktuese ose jo”, tha Mersim Maksuti, profesor universitar.

Sipas tij, nevojitet analizë e rrethanave dhe ndikimit të saj në vendimmarrje.

“Duhet të shikohen rrethanat. A ka pasur ndikim politik mbi atë. Duhet shikohet se sa është cenuar vërtetë legjitimiteti dhe integriteti i Gjykatës në tërësi me vendimet e saja. Prandaj, kjo çështje nuk mund thjeshtë të gjykohet, por duhet analizuar”, u shpreh Mersim Maksuti, profesor universitar.

Situata bëhet më e komplikuar duke e pasur parasysh se gjykatësja Elziabeta Dukovska, ka votuar për hedhjen poshtë të iniciativës kundër ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në shtator të vitit 2023 edhe pse për atë lëndë ka pasur konkluzion të Gjykatës Kushtetuese që vendimi të merret me përbërje të plotë të gjykatës, respektivisht të 9 gjyqtarëve. Praktikisht, vota e Dukovskës i bie që të jetë e pavlefshme duk e pasur parasysh se mandati i saj digjet për shkak se është zgjedhur në mënyrë të paligjshme.

Pyetja që mbetët pa përgjigje është se pse lënda ka qëndruar dy vite në Gjykatën Administrative dhe nëse do të thirren në përgjegjësi anëtarët e Këshillit Gjyqësor që Dukovskën e kanë propozuar për gjyqtare pa i vendosur në votim kundërkandidatet e saj. Por ironia qëndron në faktin se nëse eventualisht kërkohet përgjegjësi për zvarritje të lëndës në Administrative, atë duhet ta bëjë Këshilli Gjyqësor, i cili sipas vendimit është fajtor që në mënyrë të paligjshme ka zgjedhur Dukovskën për gjyqtare, respektivisht e ka propozuar për t’u votuar në Kuvend, pa i vënë në votim kundërkandidatet e Dukovskës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button