Maleska: Vetingu ndaj vetes është zbatuar në komunizëm

Maleska: Vetingu ndaj vetes është zbatuar në komunizëm

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Nisma e BDI-së për reforma dhe veting brenda partiak, për njohësit e çështjeve politike nuk është një gjë e panjohur. Sipas profesoreshës universitare, Mirjana Maleska ky proces është zbatuar edhe në kohën e komunizmit, proces i njohur si centralizëm demokratik. Sipas saj, debati për veting do të jetë formal sepse dihen paraprakisht konkluzionet. Maleska thotë se nuk duhet më të presim ndihmë për veting nga SHBA-të apo BE-ja, sepse orientimi i tyre tani është kah Ukraina, Rusia e Kina si sfidë e rendit të ri botëror.

“Zakonisht paraprakisht dihet se cila politikë do të dënohet dhe cilët njerëz do të dënohen në perceptim negativ të partisë kështu që ky moment i centralizmit ta quaj, të udhëheqjes së partisë sipas ligjit oligark të Mihaelit se fuqia në parti gjithnjë koncentrohet në kryesi dhe në njeriun e parë të, gjë që nuk është e re”, deklalroi Mirjana Maleska – Profesoreshë Universitare.

Deputeti i LSDM-së Fatmir Bytyqi, shprehet se veting duhet të bëjë çdo individ apo politikan, por para se të hyjë në politikë. Gjithçka tjetër, sipas tij është thjeshtë marrëveshje politike.

“Unë mund të them për vete. Mendoj se vetingun çdokush individualisht duhet ta bëjë para se të hyjë në politikë. Çdo marrëveshje politike për të bërë veting politik është marrëveshje politike. Kështu që të pyesim njëherë a kemi bërë veting secili kur kemi hyrë në politikë dhe a i bëjmë veting vetvetes tani që jemi në politikë, pastaj do të flasim për marrëveshje politike”, tha Fatmir Bytyqi – LSDM.

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti i dërgoi porosi BDI-së që të tërheqë figurat e vjetra politike, dhe t’u lë rrugë gjeneratave të reja.

“Prandaj veting ju bëri populli shqiptar në zgjedhjet e kaluara por vetingun e vërtetë do e ndjejnë në zgjedhjet lokale që vijnë. Veting nuk i bëhet vetvetes, veting të bëjnë të tjerët, veting të bëjnë institucione të pavarura. Ata po luajnë me popullin, po luajnë me anëtarësinë e vet, po tallen me atë anëtarësi. I’u bëjnë filma që ata që janë 20 vite në skenë, nga 7-8 mandate deputetë, të zhytur në korrupsion, nëpër lista të zeza amerikane, vetingu më i mirë është ata të tërhiqen prej aty”, u shpreh Izet Mexhiti – Kryetar i LD.

Ditë më parë BDI njoftoi se anëtarët e kryesisë së partisë duke firmosur kodin e praktikës së mirë dhe integritetit të BDI-së bëjnë një lëvizje domethënëse drejt rritjes së transparencës dhe integritetit. Në opinion një nismë e tillë u pranua si tallje dhe duke e ironizuar si proces të cilin duhet ta udhëheqin Ramiz Merko dhe Artan Grubi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button