Mali i Zi i drejtohet Komisionit të Venecias për Ligjin e Presidentit
Mali i Zi i drejtohet Komisionit të Venecias për Ligjin e Presidentit
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, kërkoi nga Komisioni i Venecias të nxjerrë një opinion urgjent për ndryshimin e Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, i cili po shkakton debate të shumta në opinion, por edhe një krizë politike në Malin e Zi.
“Duke theksuar se pasojë e rivotimit të mundshëm të Ligjit të diskutueshëm për ndryshimin e Ligjit për Presidentin e Malit të Zi në seancën e ardhshme të parlamentit dhe hyrja në fuqi e tij, në një periudhë shumë të shkurtër kohore, mund të cenojë rendin kushtetues të Malit të Zi dhe vlerat juridike universale,” thuhet në kërkesën e presidentit dërguar Komisionit të Venecias.
Ndryshimet e miratuara të Ligjit për Presidentin, në fillim të këtij muaji, parashohin që nëse presidenti i vendit nuk propozon mandatar për formimin e qeverisë atëherë mandatin e merr një kandidat që ka mbështetjen e qartë të shumicës së deputetëve. Kjo do t’i mundësonte kandidatit me shumicë të ngushtë prej 41 deputetësh, Miodrag Lekiq, të formojë qeverinë e re malazeze.
Me 20 shtator presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, refuzoi propozimin që zoti Lekiq, kandidat i partive që miratuan ndryshimet, të jetë mandatari i ri për formimin e qeverisë, ndërsa hodhi propozimin që të shkurtohet mandati i parlamentit aktual, për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja.
Partitë opozitare thanë se ndryshimet e përfshira në ligj paraqesin shkelje të Kushtetutës së Malit të Zi.
Kërkesa e presidentit Gjukanoviq vjen pas takimit të përfaqësueseve të partive parlamentare në Mal të Zi , e cila përfundoi gjatë kësaj jave pa ndonjë marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike në Mal të Zi.
Kryetarja e parlamentit Danijela Gjuroviq, e cila ishte nismëtare e këtij takimi, njoftoi se gjatë bisedës “të gjithë insistuan në qëndrimet e tyre”.
“Duhet të diskutojmë nëse jemi gati të kemi një qeveri të re apo të biem dakord për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha Gjuroviq.
Edhe pse iu përgjigjën ftesës, drejtuesit e Frontit Demokratik pro-ruse u larguan menjëherë nga negociatat pasi, siç njoftuan, në takim nuk ishte presidenti i Malit të Zi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviq.
Shumica parlamentare, e cila ka 41 deputetë, e udhëhequr nga Fronti Demokratik me Demokratët dhe lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq, mbështesin zgjedhjen e një qeverie të re, mandati i së cilës do të ishte kandidati i tyre Miodrag Lekiq.
Nga ana tjetër, blloku i opozitës dhe partive të pakicave të udhëhequr nga partia e presidentit Milo Gjukanoviq mendon se parlamenti duhet të shpërndahet dhe të organizohen zgjedhje të reja.
Mali i Zi është tronditur nga një krizë politike që pasoi rënien e qeverisë së kryeministrit Abazoviq dhe refuzimin e shumicës parlamentare për të hyrë në një proces të ri zgjedhor. Po ashtu, pothuajse të gjitha institucionet janë në gjendje të përkohshme vepruese, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, e cila është pa kuorum./VOA