Man. Junajted, 1.3 miliardë stërlina për të blerë 25 % të aksioneve
Man. Junajtedi vijon të kërkojë për investitorë apo pronarë të rinj dhe pas tërheqjes së Jassim bin Hammad al-Thani, një tjetër personazh ka dalë në skenë. Bëhet fjalë për Xhimi Retklif. Ky i fundit, aktualisht pronar i Nicës dhe kërkon të blejë 25% të kuotave të skuadrës së Man. Junajtedit. Për të realizuar këtë gjë, ai është gati të investojë 1.3 miliardë stërlina, duke qenë ortak në minorancë i “Djajve të Kuq”.
Lajmi konfirmohet nga “Sky Sports”, që shton se marrëveshja është pranë realizimit dhe se Glazers, pronarët aktualë të Man. Junajtedit, kanë dhënë miratimin e tyre. Pra, një investitor satelit, që do të ndihmojë klubin të kryejë një merkato edhe më të mirë me paratë që ai do të sjellë.
Sheikët arabë, këtë verë ofruan deri në 5 miliardë stërlina për të blerë 100% të aksioneve të Man. Junajtedit, por pronarët aktualë nuk pranuan. Retklif është pronar i kompanisë “INEOS” dhe pret që me këtë ofertë të nisë gradualisht sulmin për të blerë 100% të aksioneve të ekipit anglez.







