Manifestimet e Vidovdanit, Policia shoqëron 17 persona për provokime dhe armëmbajtjes pa leje
Manifestimet e Vidovdanit, Policia shoqëron 17 persona për provokime dhe armëmbajtjes pa leje

Manifestimet për festën e “Vidovdanit”, të mbajtura sot në Gazimestan dhe Graçanicë, kanë përfunduar pa incidente madhore.
Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës, e cila thekson se falë masave të ndërmarra me kohë, rendi dhe siguria publike janë ruajtur gjatë gjithë kohës.
Sipas njoftimit zyrtar, përveç disa rasteve të izoluara me veprime provokuese, të gjitha aktivitetet janë zhvilluar në mënyrë të qetë.
“Policia e Kosovës menaxhoi situatën e sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për ‘Vidovdan’.
Masat operative, parandaluese dhe koordinuese janë zbatuar në të gjitha departamentet dhe rajonet policore për të siguruar rend dhe siguri”, thuhet në komunikatë.
Policia ka bërë të ditur se 17 persona janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, për shkak të sjelljeve provokuese, përfshirë nxitje të urrejtjes dhe veshje me përmbajtje provokuese, të cilat bien ndesh me ligjet në fuqi.
Nga këta persona:
Një është ndaluar për veprën penale të armëmbajtjes pa leje,
Një tjetër është gjobitur për kundërvajtje,
Katër janë liruar,
Ndërsa 11 të tjerë janë ende në procedurë intervistimi.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar, duke garantuar se do të vazhdojë angazhimin për ruajtjen e rendit, zbatimin e Kushtetutës dhe ofrimin e një mjedisi të qetë për të gjithë qytetarët pa dallim.