Maqedonia e nis me fitore, Musliu sërish shënon ndaj Lihtenshtajnit
Nisma e mirë e përfaqësueses së Maqedonisë në eliminatoret për Botërorin 2026, pasi që në sfidën e parë të grupit “J”, mundi Lihtenshtajnin në Vaduz me golat e Trajkovskit, Miovskit dhe Musliut

Pas matjes së forcave në fillim të takimit, Maqedonia hapi rezultatin në minutën e 7-të. Aksioni nisi nga Alioski, ndërsa Bojan Miovski ishte më i shpejtë se mbrojtja e Lihtenshtajnit, duke krosuar në kokën e Trajkovski, i cili nuk e kishte vështirë që të dërgojë topin në rrjetën e boshatisur.
Pak më vonë Enis Bardhi u kanos nga gjuajtja e lirë, mirëpo Lihtenshtajni në minutën e 23 kishte rastin më konkret për të barazuar rezultatin. Gjuajtja e fortë nga Ulliam Pizzi me shumë mund u ndal nga portieri Dimitrievski.
Rastin e radhës për Maqedoninë e kishte Bojan Miovski, në minutën e 37-të, kur godet me kokë, por tentimi i tij përfundoi drejt në duart e portierit vendas.
Në minutën e 41-të, asiston Bardhi në zonë, Miovski godet ashpër por topi devijohet nga mbrojtësit vendas në rivënie nga këndi.
Në vazhdim, Maqedonia shënon golin e dytë. Ishte aksion i futbollistëve shqiptarë. Bardhi ekzekuton rivënien nga këndi, Alimi asiston me kokë, ndërsa brenda zonës, Visar Musliu shënon në stilin e Ibrahimoviçit për 2-0. Ky është goli i dytë i Musliut në fanellën e Maqedonisë dhe sërisht kundër Lihtenshtajnit, pasi që më parë kishte shënuar gol në fitoren 4-0 ndaj kësaj kombëtare në vitin 2017.
Pak më vonë, Bardhi kanoset nga 17 metra, por tani portieri vendas është në nivel të detyrës.
Pjesa e parë dominuese nga Maqedonia me shumë goditje konkrete, ndërsa vendasit vetëm njëherë u kanosën drejt portës së Dimitrievskit.
Pjesa e dytë filloi me dy raste të reja për Maqedoninë, ku Atanasov ishte në aksion , por pa shqetësuar portierin vendas.
Në minutën e 59 i gjithë stadiumi ishte në këmbë dhe me duartrokitje rikujtonin 59 viktimat e tragjedisë në Koçanë.
Në minutën e 81-të Toshevski u gjetë sy me sy me portierin vendas, por topi shkoi mbi portë.
Në minutën e 84-të, Ilievski asiston në zone, ndërsa aty me shkathtë tregohet Bojan Miovski për të shënuar golin e tretë për Maqedoninë.