Maqedonia në vendin e pestë në Evropë për nga ikja e trurit

Maqedonia në vendin e pestë në Evropë për nga ikja e trurit

Gazetar: Suad Bajrami

Maqedonia e Veriut ndodhet në top 5 vendet e Evropës për ikjen e kuadrit të arsimuar.

Prej vitit 2013-të deri në vitin 2021, Maqedonisë së Veriut i kanë ikur mesatarisht nga 2.500 persona në vit me arsim të lartë, për të cilët, shteti ka investuar rreth 725 milionë euro.
Këto janë të dhënat alarmante të cilat i publikoi Enti Shtetëror për Revizion, në lidhje me dështimin e qeverisë për të parandaluar ikjen e talenteve nga Maqedonia e Veriut.

“Me revizionin e kryer dhe zbatimin e Metodologjisë, mbledhjen e provave të revizionit, përfituam besim të arsyeshëm se aktivitetet e Qeverisë si bartëse e politikave për menaxhim me migrimin nuk janë efektive për zvogëlimin e ikjes së kuadrit me arsim të lartë nga shteti”, njoftojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Në raport theksohet mungesa e sistemit funksional për ndjekjen dhe menaxhimin me emigrimin intelektual. Shteti nuk ka bazë të të dhënave për personat me arsim të lartë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.

“Ky studim apo hulumtim tregon sfidat serioze me të cilat përballet shteti për mbajtjen e fuqisë punëtore me arsim të lartë dhe mbrojtjen e interesave ekonomike të vendit”, thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Në vend është miratuar edhe Strategjia për parandalimin e ikjes së kuadrove me arsim të lartë dhe profesional me afat 2013-2020, por i njëjti ka nivel të ulët të realizimit.

“Strategjia, nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe ueb-faqen e MASH-it, ndërkaq mungesa e dokumenteve mbështetëse për mënyrën e planifikimit dhe hartimit të Strategjisë, nuk siguron të dhëna të besueshme për kyçjen e të gjitha institucioneve relevante në krijimin e dokumentit strategjik”, theksojnë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Ndryshe, sipas raportit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion për vitin 2020, Maqedonia e Veriut ndodhet në top 20 vendet në botë për emigrim më masiv jashtë vendit, ndërkaq sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, thuajse 40% e kuadrove me arsim të lartë e kanë lëshuar shtetin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button