Ditën e premte, në “Stamford Brixh” të Londrës do të luhet ndeshja mes Çellsit dhe Man. Junajtedit. Një përballje delikate për dy skuadra që janë finaliste në turnetë europianë.
Por, për “blutë” vlen edhe një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, aty ku “Djajtë e Kuq” mund të shkojnë nëse fitojnë Ligën Europa.
“Ne jemi të përqendruar vetëm te kjo sfidë. Ne përpiqemi të përqendrohemi te vetja dhe të përpiqemi të bëjmë më të mirën këtu. Nuk ka të bëjë me faktin nëse është një kohë e mirë për t’u përballur me ta. Edhe pse humbëm kundër Njukasëlli, mendoj se ekipi është në një moment të mirë”, tha trajneri italian i Çellsit, Enzo Mareska.
“Në 10 ndeshjet e fundit të Premier Ligës kemi marrë 20 pikë. Një mesatare prej dy pikësh për ndeshje është një mesatare e mirë për të arritur një vend në Ligën e Kampionëve. Pra, të përpiqemi të bëjmë më të mirën për të fituar të premten në mbrëmje”, shtoi Mareska.
Më tej, trajneri i Çellsit komentoi sezonin në përgjithësi.
“Që nga dita e parë, thashë se klubi më tha pas dy vitesh se duam të luajmë në Ligën e Kampionëve. Por, kur je mes katër të parëve gjatë gjithë sezonit, është e natyrshme që objektivi ndryshon. Mendoj se kemi pasur një sezon të mirë që do të bëhet një sezon shumë i mirë nëse mund të përfundojmë në pesë të parët dhe të fitojmë Ligën e Konferences. Kishte momente, në pesë-gjashtë muajt e parë, ku ishim të dytët dhe të tretët në kampionat. Tani jemi të pestët dhe do të përpiqemi të përfundojmë mirë”, tha Mareska.








