Mario Mitaj, gati kontrata për qëndrim më të gjatë në Arabinë Saudite

Mario Mitaj i ka bindur të gjithë në Arabi. Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë me paraqitjet e tij ndeshje pas ndeshje, ka bërë që klubi i Al Itihadit të blejë kartonin e tij përfundimisht. Kujtojmë se Mitaj është në huazim nga Lokomotiva e Moskës, me të drejtën e blerjes.
Për të janë paguar 1.2 milionë euro nga klubi arab për huazimin, ndërkohë “Panorama Sport” mëson se është menduar që klauzola e shitjes që është përcaktuar për tu aktivizuar në muajin maj, të hyjë në lojë që tani.
Al Itihadi është në bisedime me rusët dhe klauzola e blerjes do të aktivizohet këto ditë, për një shumë më të ulët se sa është rënë dakord, teksa zyrtarizimi pritet që të bëhet ditët në vijim. Duke qenë se opsioni i blerjes është në maj, agjenti dhe negociatori mes palëve sugjeroi që shuma të paguhet tani, me kusht që vlera e marrëveshjes të ulet me 15-30 %.
Rusët e kanë pranuar diçka të tillë, për shkak të nevojës së tyre financiare. Flitet se për Mitajn, Lokomotiva e Moskës në verën e kaluar ka rënë dakord për ta shitur në një vlerë prej 5 milionë eurosh.