Mark Rute merr udhëheqjen e NATO-s
Mark Rute merr udhëheqjen e NATO-s
Ish-kryeministri i Holandës, Mark Rute, merr udhëheqjen e NATO-s. Ai merr postin e shefit të Aleancës Veriatlantike me detyrën që ta mbajë bashkë NATO-n, teksa lufta në Ukrainë është në një moment kritik dhe zgjedhjet e rëndësishme presidenciale amerikane po afrohen. Rutte merr detyrën e sekretarit të Përgjithshëm nga paraardhësi i tij norvegjezi Jens Stoltenberg. Stoltenberg ka qenë në krye të aleancës gjatë një dekade turbulente, që mbi të gjitha është shënuar me pushtimin e Ukrainës të nisur nga Rusia më 2022. Zyrtarët e NATO-s dhe diplomatët presin që Rute të vazhdojë prioritetet e Stoltenbergut për aleancën që përbëhet nga 32 anëtarë: të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, të shtyjë shtetet anëtare që të shpenzojnë më shumë në mbrojtje dhe të mbajë Shtetet e Bashkuara të angazhuara në sigurinë evropiane. Por, ka pasiguri edhe sa i përket luftës në Ukrainë dhe të mbështetjes në të ardhmen të SHBA-së për NATO-n dhe Kievin, pasi Donald Trump- skeptik i NATO-s është në garë të ngushtë zgjedhore me nënpresidenten amerikane, Kamala Harris. /Alsat.mk