“Marrëveshja me Bullgarinë”, E Majta dorëzon nismën për referendum në Kuvend

“Marrëveshja me Bullgarinë”, E Majta dorëzon nismën për referendum në Kuvend

Gazetar: Mefail Ismaili

Partia e Majta dorëzoi në Kuvend nismën për referendum për Marrëveshjen me Bullgarinë. Kryetari i kësaj partie Dimitar Apasiev deklaroi se kërkesa e dorëzuar në Kuvend është për referendum të detyrueshëm. Ai tha se janë grumbulluar 750 nënshkrime, ndërsa pyetja në referendum do të jetë “A jeni për vazhdimin e negociatave me BE-në me pranimin e konstatimeve të Kuvendit më 16 korrik të vitit 2022”. Apasiev shtoi se pret që kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi ta vendos në rend dite nismën.

“Mendojmë se formulimi i këtillë i ndershëm, në aspekt juridik është korrekt dhe presim që të mos ketë pengesa në vijimin e mëtejmë të procedurës. Gjëja e vetme që duam ta potencojmë është problemet me të cilat u ballafaquam, përkatësisht krahas asaj që kemi procedurë më të rëndë në Evropë për grumbullimin e nënshkrimeve kishim edhe mungesën e ekipeve të plota të KSHZ-së”, tha Dimitar Apasiev, “E Majta”.

Nga shumica parlamentare deputeti i LSDM-së, Nenad Kociq akuzon opozitën se pengon rrugën evropiane të vendit.

“Shumica dhe ne si LSDM votuam për mbrojtjen e gjuhës maqedonase, identitetin dhe kulturën në procesin e negociatave me BE-në. Dhe si e treta, bëhet e qartë se gjithçka që bënë Apasiev dhe Mickovski është të pengohet rruga jonë ndaj BE-së”, deklaroi Nenad Kociq, LSDM.

Iniciativë për referendum për marrëveshjen mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, një muaj më parë ngriti edhe VMRO-DPMNE. Por kryeparlamentari, Talat Xhaferi e refuzoi nismën me arsyetimin se marrëveshja ishte ndërkombëtare dhe e ratifikuar në Kuvend dhe sipas Kushtetutës nuk mund të ndryshohet me ligj./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button