Marseja gjen pasuesin e Marselinjos dhe shumë shpejt pritet të zyrtarizojë akordin me Xhenaro Gatuson. Italiani do të fluturojë për në Francë gjatë 24-orëshit të ardhshëm dhe do të marrë drejtimin e skuadrës për ta udhëhequr në ndeshjen e fundjavës ndaj Monacos në transfertë.
Eksperienca e fundit e 45-vjeçarit ishte me Valencian në La Liga, ndërsa Gatusso për herë të parë do të provojë një aventurë në futbollin francez. Në listën e drejtuesve të Marsejës për të zëvendësuar Marselinjon ishte edhe ish-trajneri i Paris Sen Zhermenit, Kristof Galtier, mirëpo ky i fundit nuk kishte aprovimin e ultrasve.
Ndaj, drejtuesit në fund vendosën për ish-teknikun e Milanit që tashmë duhet të rikthejë Marsejën në “shinat e duhura” pasi skuadra aktualisht është në vend të tetë me nëntë pikë pas gjashtë javëve të para. Një tjetër objektiv i Gatussos është edhe kalimi në fazën me eliminim të Ligës Europa me Marsejën që është shortuar në një grup delikat, ku bën pjesë Ajaksi, AEK-u i Athinës dhe Brajtoni.








