Masa kujdesi për një punonjëse të MPB-së, dyshohet për marrje ryshfeti për banesa sociale

Masa kujdesi për një punonjëse të MPB-së, dyshohet për marrje ryshfeti për banesa sociale

Gazetar: Adnan Qaili

Ra në pranga një punonjëse e MPB-së pasi mashtroi hallexhinjtë për tu shitur banesat sociale. Prokuroria Themelore Publike Shkup lëshoi urdhëresë për procedurë hetimore kundër punonjëses 41 vjeçe, e cila dyshohet për vepër penale – Mashtrim nga neni 247 paragrafi 1 dhe 4 të Kodit Penal. Nga prilli i vitit 2023, duke shfrytëzuar të njëjtat marrëdhënie të përhershme dhe të njëjtat mundësi, e dyshuara me inicialet I. M. ka mashtruar tre persona, të cilëve u është paraqitur në mënyrë të rreme si shefe e Stacionit policor të Gazi Babës dhe anëtare e Komisionit për dhënie të banesave sociale.

“Ajo u premtoi tre të papunëve të dëmtuar se do t’i ndihmonte të merrnin banesa sociale në Lisiçe me çmim më të ulët se ai real, duke u kërkuar që t’i paguajnë 12 mijë euro për një apartament dhe 3 mijë euro për ndërmjetësim dhe hartimin e dokumentacionit. I kanë dhënë paratë në disa raste dhe gjatë pagesës së fundit prej 12.500 euro, ajo është kapur menjëherë nga policia, pas marrjes së parave”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.

Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masave të sigurisë, ndalim për dalje nga vendbanimi, obligim për paraqitje të herëpashershme para zyrtarit në gjykatë dhe konfiskim të dokumentit të udhëtimit. Lidhur me krimin, nga policia është kryer kontrolli në ambientet zyrtare të të dyshuarës, gjatë të cilit janë gjetur dokumentacion më i gjerë i dyshimtë në lidhje me veprën penale në formën e dokumenteve të ndryshme që dyshohet se janë të falsifikuara, marrëveshje të ndryshme kredie, ndërmjetësim dhe marrëveshjet për ndarjen e banesave sociale, dokumentet e pronësisë, si dhe një fletore me shkrim dore në të cilën mbahen shënime për personat për të cilët janë kryer detyra të caktuara.

“Departamenti i kontrollit të brendshëm, hetimeve kriminale dhe standardeve profesionale, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale, ka vepruar pas kallëzimit nga tre persona të dëmtuar dhe më datë 17.05.2024, personi në fjalë është kapur në vendngjarje në momentin e dorëzimit të mbi 12.500 euro, të përpunuara më parë penalisht, të cilat ajo i ka marrë pasi dyshohet se ka ndërmjetësuar për marrjen e banesave sociale të kategorisë B”, theksuan nga Ministria e Punëve të Brendshme .

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesë dhe ambiente të tjera të përdorura nga personi I.M. në Komunën e Sarajit është gjetur edhe një armë zjarri me gjashtë pjesë municioni, për të cilat nuk posedon leje, për çka është njoftuar edhe Departamenti për tregti të paligjshme me armë në SPB Shkup, për të ndërmarrë masat shtesë. Policia vazhdon të ndërmarrë masa dhe aktivitete me qëllim të hetimit të lidhjes së mundshme të personit të përmendur me zyrtarë të tjerë të lartë policorë, thonë nga MPB-ja./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button