Masakra në Australi, kryeministri Albanese: Ligje më të ashpra për armët

Masakra në Australi, kryeministri Albanese: Ligje më të ashpra për armët

Ka shkuar në 16 numri i viktimave nga sulmi i armatosur në Bondi Beach në Sydnei të Australisë, ndërsa dhjetëra persona të tjerë mbeten të shtruar në spital. Sulmi, i cilësuar nga autoritetet si terrorist, kishte në shënjestër komunitetin hebre australian gjatë një aktiviteti për festimin e Hanukkah-ut. Policia tha se sulmin e kanë kryer një baba me të birin.

Incidenti i ka rritur pikëpyetjet nëse ligjet për armët në Australi, ndër më të ashprat në botë, kanë nevojë për një rishikim. Policia ka thënë se i dyshuari më në moshë ka pasur licencë për mbajtje armësh prej vitit 2015, për gjashtë lloje.

Kryeministri australian, Anthony Albannese ka thënë se kabineti i tij është pajtuar për t’i shtrënguar ligjet për armët dhe për të punuar për përpilimin e një regjistri kombëtar për armët e zjarrit për t’i adresuar disa aspekte, sikurse numri i armëve për të cilat mund të jepet licencë dhe për ndryshim të periudhës së validitetit.

“Rrethanat e njerëzve mund të ndryshojnë. Njerëzit mund të radikalizohen brenda një periudhe kohore. Licencat nuk duhet të jenë të përhershme”, deklaroi Anthoni Albannese, Kryeministër i Australisë.

50-vjeçari është vrarë në vendin e sulmit, derisa djali i tij 24-vjeçar është në gjendje kritike në spital, ka thënë policia në një konferencë për media. Policia ka thënë se njëri prej të dyshuarve ka qenë emër i njohur për autoritetet, mirëpo nuk është konsideruar kërcënim i madh. Mediat australiane njoftojnë se sulmuesi 50-vjeçari që mbeti i vrarë Akram ishte anëtar i klubit të gjuetisë “Zastava” që drejtohet nga komuniteti serb. Sipas ABC-së, në makinën e sulmuesit janë gjetur dy flamuj të grupit ekstremist Shteti Islamik.

Sulmi ka thelluar tensionet diplomatike midis Australisë dhe Izraelit, për shkak të rritjes së presionit që qeveria e Albanesit të reagonte ndaj antisemitizmit. Albanese ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet e Netanjahut se njohja e shtetit palestinez nga Australia ka kontribuar në rritjen e antisemitizmit, duke theksuar se ky vendim nuk ka asnjë lidhje me sulmin terrorist. Kryeministri australian theksoi se qëndrimi i qeverisë së tij është në përputhje me konsensusin ndërkombëtar. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button