Masat do rrisin shërbimet shëndetësore!?
Masat do rrisin shërbimet shëndetësore!?

GAZETAR: ADNAN QAILI
Në planin e Qeverisë për kursim të fondeve dhe konsolidim fiskal, qëndron edhe një pikë për shërbimet shëndetësore. Megjithëse kjo kaloi mes rreshtash gjatë prezantimit pompoz nga ekzekutivi, shqetësimi i qytetarëve është nëse u rritet participimi gjatë kontrolleve dhe ekzaminimeve në spitalet e shtetit. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se kanë marrë propozimin nga ekzekutivi dhe po e shqyrtojnë atë, shkruan Alsat.
“Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Fondin e Sigurimit Shëndetësor po shikojnë mundësitë për racionalizimin e kostove duke ripërcaktuar Programet vjetore të kujdesit shëndetësor dhe duke i përafruar ato me nevojat reale. Në të njëjtën kohë, po shqyrtohet mundësia e futjes dhe rritjes së participimit në përdorimin e shërbimeve shëndetësore, me përjashtim vetëm për kategoritë sociale.”, thone nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor thonë se kjo kërkesë nuk do të merret si akt i kryer. Fillimisht do të bëjnë analizat se a do të jetë i domosdoshëm ky shtrenjtim i participimit për shërbimet shëndetësore.
“Çmimet e shërbimeve shëndetësore mund të rriten vetëm nëse shpenzimet e institucioneve publike shëndetësore nuk mund t’i mbulojnë pagat e personelit, materialet medicinale, pajisjet mjekësore, mirëmbajtjen dhe rrymën, në rast të tejkalimit të çmimit të referencës, të cilat i ka përcaktuar fondi. Ende jemi në shqyrtim të të njëjtit propozim, besoj se nuk do të ketë rritje të participimit. Nëse ka rritje do të ketë vetëm për shërbimet shëndetësore, por jo participimi që mund t’i tangojë siguruarit tanë.”, tha Irfan Limani, Fondi sigurimit shëndetësor.
Autoritetet thonë se në planin afatmesëm do të shikohen mundësitë e riorganizimit të institucioneve publike shëndetësore, përmes konsolidimit të përhershëm të tyre. Por, ajo që ju intereson qytetarëve është nëse do paguajnë më shtrenjtë për mjekim në këtë krizë të thelluar ekonomike./Alsat.mk