Mashtrim apo gabim i madh? Dallimi midis të dhënave zyrtare dhe konsumit real të karburantit po bëhet më i madh, këto marka janë më të saktat
Mashtrim apo gabim i madh? Dallimi midis të dhënave zyrtare dhe konsumit real të karburantit po bëhet më i madh, këto marka janë më të saktat

Konkluzioni i organizatës kërkimore të Këshillit Ndërkombëtar për Transport të Pastër (ICCT) në një studim të publikuar të mërkurën është shqetësues – të dhënat zyrtare për konsumin e automjeteve dhe konsumin real janë gjithnjë e më të ndryshme.
Kështu, në vitin 2022, makinat me motorë me djegie të brendshme të regjistruara në Gjermani konsumuan 14 për qind më shumë benzinë ose naftë për kilometër të kaluar në kushte reale sesa thuhet në të dhënat e fabrikës (matjet e WLTP) dhe emetuan 14 për qind më shumë CO2 që dëmton klimën.
Tashmë në vitin 2018, diferenca mes konsumit zyrtar dhe atij real ishte dukshëm më e ulët dhe arriti në “vetëm” 8 për qind. Me matjet “WLTP” informacioni për konsumin e makinave duhet të ishte më real, por kjo padyshim që nuk ndodhi.

Kërkesat e Bashkimit Evropian drejtuar prodhuesve për të reduktuar emetimin e “CO2” mesa duket nuk japin asnjë rezultat. Përveç të dhënave zyrtare të konsumit të mbledhura nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, analiza bazohet në të dhënat e konsumit të karburantit të regjistruara nga drejtuesit e mjeteve nga drejtimi i tyre i përditshëm përmes portalit spritmonitor.de.
Të dhënat nga më shumë se 160,000 automjete kanë mbërritur. Markat me vlera veçanërisht të larta janë “Opel”, “Hyundai”, “Ford” dhe “Seat”. Nga ana tjetër, te “Mercedes”, “BMW” dhe “Audi” konsumi real ishte afër atij të deklaruar.
Në ciklin e vjetër të testimit “NEDC”, trendi ishte i kundërt. Audi shpenzoi shumë më tepër se të dhënat zyrtare, ndërsa Opel dhe Hyundai kishin diferencën më të vogël.

Komisioni Evropian tani ka krijuar metodën e vet të parandalimit të mashtrimit. Nga viti 2021, prodhuesit duhet të instalojnë pajisje matëse në makinat e reja, të cilat njoftojnë automatikisht autoritetet e autorizuara shtetërore për konsumin aktual.
Megjithatë, këto të dhëna nuk janë të disponueshme publikisht dhe mund të analizohen pas disa vitesh.