Matura shtetërore do të mbahet më 1 dhe 8 qershor, nxënësit: Jemi të gatshëm për çdo sfidë

Matura shtetërore do të mbahet më 1 dhe 8 qershor, nxënësit: Jemi të gatshëm për çdo sfidë

Gazetare: Melihate Rustemi

Korridoret e shkollave dhe sallat e edukatës fizike do të jenë hapësirat e reja ku këtë vit do realizohen provimet e maturës shtetërore, më 1 dhe 8 qershor. Drejtuesit e shkollave thanë për Alsat se varësisht numrit të nxënësve do të përshtatin hapësirat për provim duke respektuar distancën mes nxënësve dhe çdo rregull tjetër të maturës shtetërore.

“Një pjesë e madhe do të bëhet në sallën sportive ndërsa një pjesë më e vogël në korridoret e shkollës dhe do ta tejkalojmë numrin që kemi, afër 130 maturantë në këtë vit shkollor. Varësisht hapësirat se sa janë, salla sportive te shkolla jonë është e madhe, do të ngërthen të gjithë dhe do të ketë një distancë në mes nxënësve që mos të bëhet kopjimi dhe të jetë më efikas testi i maturës”, deklaroi Bedri Gjureci, drejtor I SHMQSH “Saraj”.

Maturantët të cilët tashmë po bëjnë përgatitjet e fundit për provimet thanë se ndërrimi i hapësirave nuk është asgjë tragjike. Sipas tyre, ka mjaftueshëm kohë për përgatitje dhe nuk ka nevojë për kopjim.

“Mendoj që ndryshimi i vendit ku do të mbahet provimi shtetëror nuk është që do të jetë diçka tragjike, nxënësit do të jenë të përgatitur si gjithmonë. Do të japin maksimumin e tyre për ta kryer me sukses këtë provim që të vazhdojnë më teje për synimet e tyre të reja siç është fakulteti e kështu me radhë”, u shpreh një nxënës.

“Nuk besoj që do të ketë nevojë për kopjime. Këto katër vjet të shkollës së mesme vazhdimisht profesorët na kanë ligjëruar dhe gjithmonë na kanë treguar përafërsisht se cilat pyetje ose cilat mësime mund që të jenë në testin e maturës shtetërore. Besoj se të gjithë nxënësit do ta japin maksimumin e tyre”, tha një nxënëse.

Këtë vit, maturës shtetërore do t’i nënshtrohen 14 834 nxënës. Vitin e kaluar u konstatua se mbi 3000 maturantë kopjuan në provimin e gjuhës angleze. Nga Qendra Shtetërore e Provimeve tashmë kanë theksuar se çdo gjë është gati. Testet janë shtypur dhe po bëhen përgatitjet përfundimtare për t’i shpërndarë në institucionet arsimore. Më 1 qershor do të mbahet testi i gjuhës amtare kurse më 8 qershor testi në një nga lëndët e zgjedhura: gjuhë angleze, gjuhë franceze, gjermane, ruse, matematikë, filozofi, estetikë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button