​Mbërrijnë në gjykatë policët e dyshuar në rastin e vdekjes së 27 vjeçarit në Lipjan

​Mbërrijnë në gjykatë policët e dyshuar në rastin e vdekjes së 27 vjeçarit në Lipjan

Pesë zyrtarët policorë të dyshuar në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan, kanë mbërritur në gjykatë të mërkurën, më 9 korrik.

Ata janë sjellur në gjykatë pak para orës 10:30 – orarit të fillimit të seancës dëgjimore.

Agon Zejnullahu ka vdekur në orët e para të datës 7 korrik, në Lipjan. Në njoftimin e Policisë së Kosovës u tha se Zejnullahu dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur u ndalua nga zyrtarët policorë.

Pas rastit, Inspektorati Policor i Kosovës bëri të ditur arrestimin e pesë zyrtarëve të përfshirë në rast, derisa autoritetet po vazhdojnë hetimet.

Sipas pamjeve që janë shpërndarë media dhe rrjete sociale, i ndjeri shihet me duar të lidhura.

Ky rast ka nxitur reagime të shumta dhe kritika për mënyrën se si policia e ka menaxhuar këtë rast, ndërkohë që thuhet Zejnullahu mund të ketë vdekur nga ngufatja.

Instituti i Mjekësisë Ligjore, tha të martën se ende nuk ka dalur raport mbi rastin e vdekjes së 27 vjeçarit në Lipjan.

Vëllai i viktimës, derisa ka folur më herët për KosovaPress, ka thënë se Agon Zejnullahu është pranuar pa shenja jete në Qendrën Emergjente në Lipjan, me dhjetëra shenja në trup.

Sipas tij, “policia është shmangur nga familja dhe nuk ka dhënë asnjë informacion të detajuar për ngjarjen”.

Për rastin ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila ka bërë thirrje për transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale.

Ndërkaq, në reagimin e ministrit në detyrë të Brendshëm, Xhelal Sveçla, është thënë se hetimet po zhvillohet me intensitet maksimal.

Edhe Avokati i Popullit ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këto raste, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

LEXO EDHE:

Back to top button