Mbërrin në Durrës anija me mbetjet toksike që u kthyen nga autoritetet tajlandeze
Mbërrin në Durrës anija me mbetjet toksike që u kthyen nga autoritetet tajlandeze

Rikthehet në Shqipëri anija me 102 kontejnerë që dyshohet se kanë mbetje të rrezikshme, metalurgjike. Kontejnerët janë vënë nën sekuestrim me urdhër të prokurorisë së Durrësit dhe mbetjet do të depozitohen në një vend të sigurt. Këto mbetje, që konsiderohen të rrezikshme, besohet se janë krijuar gjatë proceseve teknologjike nga aktiviteti i një kompanie turke në Elbasan. Qeveria e Shqipërisë ka thënë disa herë se lajmet për “transportim të mbetjeve të rrezikshme” janë vetëm aludime. Madje në reagimin e saj në shtator, ka pretenduar se operatorët ekonomikë në Shqipëri dhe Kosovë janë përgjegjëse për kontejnerët. Ndërsa, opozita, në anën tjetër, pretendon se kompania ka shkelur ligjin për mënyrën e përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që prodhon. Ngarkesa, rreth 800 tonë, që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën, e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’. /Alsat.mk