Mbi 111 mijë persona deri më tani janë evakuuar nga Afganistani

Ushtria amerikane kreu një sulm ajror kundër atij që tha se ishte një “planifikues” i ISIS-K në provincën lindore të Afganistanit, Nangarhar. Veprimi i tyre vjen pas paralajmërimeve për sulme të mundshme të mëtejshme terroriste në përpjekjen e fundit të evakuimit të civilëve dhe forcave të huaja nga Kabuli. Sulmi ndaj anëtarit të ISIS u bë me dron në kohën që ai ndodhej në makinë. Zyrtarët amerikanë njoftuar se sipas njohurive të tyre, asnjë civil nuk është lënduar gjatë sulmit.
Sulmi ajror në Nangarhar erdhi një ditë pasi Presidenti amerikan Joe Biden u zotua të hakmerrej për një sulm terrorist të enjten që vrau 13 pjesëtarë të shërbimit amerikan dhe të paktën 170 të tjerë jashtë aeroportit ndërkombëtar të Kabulit.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së njëkohësisht po gjurmon tre kërcënime kryesore, përfshirë nëse individë nga Afganistani, të cilët janë të lidhur me ISIS ose al Kaedën, mund të përdorin procesin e zhvendosjes si një mënyrë për të hyrë në SHBA.
Procesi i evakuimit ka hyrë tashmë në fazën përfundimtare dhe më të rrezikshme. SHBA-së dhe aleatëve të saj u kanë mbetur edhe tre ditë deri në përfundim të afatit për tërheqjen e plotë të tyre. Raportohet se siç kalon koha, talibanët pushtojnë gjithmonë e më shumë pjesë të aeroportit në Kabul. Megjithatë Pentagoni ka njoftuar se talibanët nuk zotërojnë asnjë nga pjesët ushtarake të aeroportit, aty nga ku bëhet evakuimi.
Vetëm gjatë dy javëve të fundit, raportohet se mbi 111 mijë persona janë evakuuar nga kryeqyteti afgan, pasi militantët talibanë morën kontrollin e shtetit përsëri pas 20 vitesh.
Fatlume Dervishi