Mbi 15 mijë nxënës të shkollave të mesme do t’i nënshtrohen nesër provimit të parë të maturës shtetërore në gjuhën amtare

Mbi 15 mijë nxënës të shkollave të mesme do t’i nënshtrohen nesër provimit të parë të maturës shtetërore në gjuhën amtare

Gazetare: Melihate Rustemi

Ethet e maturës shtetërore tashmë kanë përfshirë mbi 15 mijë nxënës të cilët nesër do ti nënshtrohen provimit të parë në gjuhë amtare. Në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup maturën shtetërore e kanë paraqitur rreth 450 nxënës, të cilët përveç gjuhës amtare interesim të lartë kanë shprehur edhe për gjuhën angleze, provimi I dytë që do të mbahet më 11 qershor.

“Jemi të përgatitur për ditën e nesërme që është provimi i parë për maturantët, në të gjitha aspektet qoftë teknike ose qoftë praktike. Shpresojmë që nxënësit do ti nënshtrohen me sukses këtij provimi shtetëror. Numri i nxënësve është diku 450 nxënës maturantë që do ti nënshtrohen këtij testimi, tjetri është më 11 qershor, provimi I dytë. Si çdo herë për gjuhë angleze janë shumica e për lëndët tjera janë më pak të interesuar”, tha Bekim Trolli, zv drejtor I gjimnazit “Zef Lush Marku”.

Ndërsa Alsat qëndroi në këtë shkollë, thuajse i gjithë stafi mësimor dhe teknik ishin angazhuar për bartjen e bankave dhe karrige për të krijuar kushtet e kërkuara për zbatimin e këtij testimi. Drejtuesit e shkollave shprehen të revoltuar për këtë rrëmujë të krijuar dhe kërkojnë që realizimi I maturës të rikthehet në klasa.

“Kjo është jashtëzakonisht e panevojshme, shumë jo profesionale dhe shumë e ulët. Siç ka qenë më parë, nëpër klasa ashtu siç I ka hije orës mësimore, provimit qoftë në shkollë e qoftë në fakultet e mbajnë nëpër klasa, normal testatorët i kryejnë punët e veta dhe nuk ka nevojë askush të maltretohet plus, a për ne është jashtëzakonisht punë e madhe. Me të vërtet kjo është shumë jo serioze kështu që mendoj që ata që janë kompetent këtë ta rishqyrtojnë për të ardhmen dhe jo vetëm të japin ide jo praktike dhe jo të realizueshme”, tha Bekim Trolli, zv drejtor i gjimnazit “Zef Lush Marku”.

Maturës shtetërore planifikohet t’i nënshtrohen, 8.816 nxënës nga shkollat e mesme profesionale, 5.966 nga gjimnazet dhe 222 nga shkollat e arsimit artistik. Nxënësit që nuk do të arrijnë të kalojnë me sukses provimin në afatin e qershorit, do të mund të hyjnë në afatin e gushtit. Për realizimin e maturës shtetërore janë angazhuar 2 mijë testues. Siç konfirmoi Qendra Shtetërore e Provimeve, shkollat që nuk kanë hapësira të mjaftueshme provimet e maturës do ti realizojnë edhe në amfiteatrot në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universitetin “Goce Delçev” në Shtip, Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit ” në Manastir, Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button