Mbi 1500 gjoba për shkelësit e rregullave të trafikut vetëm për një javë – Qytetarët kërkojnë shtimin e kontrolleve nga ana e policisë
Mbi 1500 gjoba për shkelësit e rregullave të trafikut vetëm për një javë – Qytetarët kërkojnë shtimin e kontrolleve nga ana e policisë

Gazetar: Avni Tahiri
Vetëm gjatë kësaj fundjavë, nga kontrollet në trafikun rrugor në të gjithë vendin, policia ka shqiptuar 1570 gjoba. Nga ky numër, 216 sanksione janë për parkim të pa rregullt, 758 sanksione për shpejtësi më të mëdha se sa është e lejuar dhe 141 persona kanë qenë pa leje të vozitjes. Qytetarët thonë se është vetëdijesimi i qytetarëve që shkelin rregullat në komunikacion ndërsa MPB duhet të shtoje kontrollet.
“Që vozitin shpejtë nuk ka fjalë, shpejtë e me ushtima, Zoti na ruajt, as në shtëpi nuk jemi rehat”, tha një qytetar.
“Duhet të ua marrin lejet dhe të mos kenë mundësi vozitje për 100 vite. Unë vetë kam frikë të kaloj rrugën. Nuk ndalen as në vija të bardha nuk ndalën”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Në përgjithësi vozisin shpejtë. Çfarë duhet të ndërmerret nga MPB-ja? Ministria e Punëve të Brendshme duhet të bëjë shumë punë por nuk bën asgjë”, theksoi një qytetar.
Nga MPB, gjithashtu njoftojnë se janë regjistruar edhe 62 sanksione për mos mbajtje të rripit të sigurimit, 31 sanksione për drejtuesit e motorëve, 27 sanksione për përdorimin të celular gjatë drejtimit, dhe tetë shoferë që kanë kaluar në semafor të kuq. Nga MPB thonë se kontrollet e shtuara do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim./ alsat.mk