Mbi 160 viktima nga përmbytjet në Evropë, vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit

Forcat e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit pas përmbytjeve masive që kanë prekur Evropën Perëndimore duke shkaktuar më shumë se 160 viktima. Qindra rezultojnë ende të zhdukur pas përmbytjeve të mëdha në Gjermani dhe Belgjikë. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë përpjekjet e tyre mbinjerëzore për të gjetur të mbijetuarit me zjarrfikësit që shfaqen të tronditur nga tërheqja e trupave nga makinat e marra nga ujërat. Megjithëse operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar në zonën e katastrofës, autoritetet po lënë të hapur mundësinë e një rritjeje të numrit të të vdekurve. Këtë e dëshmojnë edhe vet banorët e Belgjikës me të cilët Alsat arriti të kontaktoj. Avni Latifi me prejardhje nga Kosova, i cili jeton në Ensival të komunës Verviers të Belgjikës tha se në momentin e kësaj fatkeqësie natyrore ishte në shtëpinë e tij bashkë me anëtarët tjerë të familjes. Siç rrëfen ai, një fatkeqësi të këtillë banorët e Belgjikës nuk e mbajnë mend më shumë se 100 vjet.

Jo ne që e kemi prit po as këta këtu që janë belg nuk e kanë prit këtë fatkeqësi. Ka filluar në katër e gjysmë të mëngjesit, kemi qenë në shtëpi, me familje. Për një orë ka arrit gati 1,5 metër mbi nivelin e rrugës, shumë shpejt ka qenë, diçka e befasishme mirëpo viktima nuk ka këtu, nga familja jonë dhe më lartë është edhe një familje tjetër shqiptare nga Shkupi, ndërsa dëme materiale ka shumë – deklaroi Avni Latifi, banor i Belgjikës.

Familja Latifi ka dëme të mëdha materiale. Uji i rrëmbyeshëm ka dëmtuar dy makinat e kësaj familje ndërsa e treta është zhdukur tërësisht. Siç tha Latifi për momentin banorët akoma janë pa energji elektrike ndërkohë që shumë bodrume të shtëpive vazhdojnë të jenë përplot me ujë.

Dëmet në shtëpi janë shumë të mëdha. Vetëm disa pamje po u’a tregoj, që i kemi nxjerr gjërat që duhet të vijnë ti marrin. Këto janë për me i hedh, ka shumë të tjera që nuk i kemi nxjerr për shkak të ekspertizës. Ka mobilizim por jo edhe aq shumë sepse edhe këta janë befasua, nuk është shumë i madhë, kam disa shok edhe shqiptar edhe belg, edhe familjar që kanë ardh, janë duke na ndihmua –  tha Avni Latifi, banor i Belgjikës.

Reshje të mëdha shiu janë regjistruar edhe në Zvicër, Luksemburg dhe Holandë – ku kryeministri Mark Rutte ka shpallur emergjencën kombëtare në një provincë jugore. Liderët evropianë në një reagim për katastrofën kanë fajësuar ndryshimet klimatike të motit. Ekspertët thonë se ngrohja globale i bën reshjet e rrëmbyeshme më të mundshme.

Melihate Rustemi

LEXO EDHE:

Back to top button