Mblidhen ekspertët e sigurisë, do vlerësojnë vaksinën e Oxfordit dhe AstraZeneca-s

Ekspertë të vaksinave nga organizata botërore e shëndetësisë janë mbledhur për të rivlerësuar vaksinën e Oxfordit dhe AstraZeneca-s, pasi disa vende evropiane ndaluan përdorimin e saj.
Ka pasur një numër rastesh në Evropë të mpiksjeve të gjakut, të raportuara pas administrimit të vaksinës. Por numrat janë nën nivelin që mund të pritej në popullatën e përgjithshme.

Rregullatori britanik i ilaçeve dhe OBSH tha se nuk ka prova për një lidhje mes tyre. Agjencia evropiane e ilaçeve, EMA, rregullatori i BE , po ashtu është mbledhur sot.

Pritet që ajo të shpallë vendimin e saj për vazhdimin e përdorimit të vaksinës së Oxfordit dhe AstraZeneca-s, të enjten. Rreth 17 milionë njerëz në BE dhe Britaninë e Madhe kanë marrë një dozë vaksine ndërkohë që më pak se 40 janë rastet e mpiksjeve të gjakut të raportuara deri javën e shkuar – tha AstraZeneca.

Shqetësimet se mund të ketë një lidhje mes vaksinës dhe rasteve shqetësuese bënë që 11 vende evropiane të pezullojnë përkohësisht përdorimin e vaksinës, mes tyre gjermania, Franca, Italia dhe Spanja.

Vende të tjera, përfshirë Austrinë, kanë ndaluar përdorimin e disa serive të ilaçit si masë parandaluese. Sidoqoftë, Belgjika, Polonia, Republika ceke dhe Ukraina thanë se do të vazhdojnë të administrojnë vaksinën. Ndërsa në Tajlandë, kryeministri i vendit u bë personi i parë që mori vaksinën e AstraZeneca-s.

LEXO EDHE:

Back to top button