Mbreti i Rock and Roll-it rikthehet: Elvis Presley do të “vijë në jetë” me ndihmën e inteligjencës artificiale
Mbreti i Rock and Roll-it rikthehet: Elvis Presley do të "vijë në jetë" me ndihmën e inteligjencës artificiale

Fansat e Elvis Presley-t , të cilët nuk patën mundësinë ta shihnin atë derisa ishte gjallë, do të mund të marrin pjesë në performancën e Mbretit të Rock and Roll-it më vonë këtë vit falë inteligjencës artificiale.
Shfaqja e Elvis Evolution do të përdorë inteligjencën artificiale, projeksionin holografik, realitetin e shtuar dhe teatrin live për të rikrijuar ngjarje nga jeta dhe muzika e Elvisit, sipas Layered Reality , kompania e industrisë së argëtimit që zhvillon shfaqjen.
“Do të jetë një festë e jetës së Elvisit; të njeriut, muzikës dhe trashëgimisë së tij kulturore. Pika kryesore e kësaj përvoje do të jetë performanca e Elvisit me inteligjencën artificiale”, tha Andrew McGuinness, themeluesi dhe CEO i kompanisë.
Ndryshe, kompania ka lidhur marrëveshje me “Authentic Brand Group”, pronar i pasurisë së Elvis Presley-t, për zhvillimin e këtij spektakli të pazakontë. Kompania britanike fitoi akses në mijëra foto dhe video të yllit të muzikës për të krijuar performanca të reja me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Elvis Presley njihet si artisti solo më i shitur i të gjitha kohërave, me më shumë se 500 milionë disqe të shitura. Pas Londrës, spektakli “Elvis Evolution” do të vizitojë disa qytete, duke përfshirë Las Vegas, Tokio dhe Berlin.