Me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së, do të lëkundet apo jo Marrëveshja e Prespës?!

Me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së, do të lëkundet apo jo Marrëveshja e Prespës?!

Gazetar: Suad Bajrami

Gjashtë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, e cila i dha fund mosmarrëveshjes 27-vjeçare mes Athinës dhe Shkupit. Me këtë marrëveshje ndryshoi emri kushtetues i vendit. Si rezultat, Maqedonia e Veriut u anëtarësua në NATO, ndërkaq vijon procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, i cili tani për tani është bllokuar nga Bullgaria.
Megjithatë, ardhja në pushtet e VMRO-DPMNE-së, e cila ka qenë kundërshtare e ashpër, ka rikthyer debatin nëse do të lëkundet kjo marrëveshje. Presidentja e re e vendit Gordana Siljanovska Davkova, refuzon përdorimin e emrit kushtetues të shtetit, ndonëse dokumentet zyrtare i nënshkruan me Maqedonia e Veriut. Për këtë, çështja e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës kishte vëmendje të veçantë edhe gjatë takimit të krerëve të shteteve dhe qeverive në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, ku mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë.

“Unë si njeri kam të drejtë, e përsëris, prej Sokratit e deri më sot, në kuadër të lirisë së mendimit dhe lirisë së shprehjes së mendimit, të shprehem ashtu siç e bëj dhe nuk mendoj se ajo është shkelje as e Kushtetutës e as të drejtës ndërkombëtare”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova, presidente e Maqedonisë së Veriut.

Në ndërkohë, sytë janë të drejtuar kah mandatari Hristijan Mickoski, i cili pritet që javën e ardhshme ta formojë Qeverinë. Ai ka deklaruar se do ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, megjithatë, edhe Greqia duhet t’i plotësojë obligimet e saja.

“Nëse konkretisht mendoni në Marrëveshjen e Prespës, edhe ne si qeveri e ardhshme e respektojmë në detaje. Gjithçka që është pjesë e legjislacionit, Kushtetutë respektohet në detaje, pikë, presje dhe këtu nuk duhet që askush të ketë kurrfarë mëdyshje. Pasi që ju nuk mund të kërkoni prej qytetarëve që t’i respektojnë ligjet dhe Kushtetutën dhe ju t’i shkelni. Por, njëkohësisht pres edhe nënshkruesi i dytë, e ai është fqinji ynë jugor t’i respektojë”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Në ndërkohë, për respektimin e Marrëveshjes së Prespës kanë reaguar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilët kërkojnë që vendet t’i respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Me rastin e gjashtëvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, në Athinë po mbahet konferencë dyditore nën organizimin e dy ish kryeministrave nënshkrues të marrëveshjes, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button