Me ndihmën e Zvicrës do të zbatohen projekte për menaxhimin e ujërave nëntokësore

Me ndihmën e Zvicrës do të zbatohen projekte për menaxhimin e ujërave nëntokësore

Gazetar: Mefail Ismaili

Me ndihmën e Qeverisë zvicerane, vendi do të zbatojë projekt 11 vjeçar për menaxhimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e ujërave nëntokësorë, si burim kryesor i ujit të pijshëm në vendin tonë. Projekti ka për qëllim të mbledh të dhënat përkatëse se si është situata me ujërat nëntokësor në vendin tonë, dhe këto ujëra të mbrohen dhe të menaxhohen për pije. Ambasadorja e Zvicrës në Shkup, Veronik Ulman Marti, theksoi se uji për pije në vend thuajse 100% vjen nga ujërat nëntokësor, andaj duhet mbrojtja dhe menaxhimi i mirë i tyre.

“Jemi këtu të ndihmojmë në afat të gjatë, por ajo që është me rëndësi, është që të veprojmë menjëherë, urgjentisht me qëllim që t’i mbrojmë ujërat. Filluam me analizë me Kadastrën e ujërave nëntokësorë. Ajo që e bëjmë tani është që t’i inkuadrojmë të gjitha palët e prekura me qëllim që të definohen prioritetet me të cilat duhet të fillohet sa më shpejtë”, deklaroi Veronik Ulman Marti, ambasadore e Zvicrës në RMV.

Ministrja e Ekologjisë, Kaja Shukova, deklaroi se kanë konstatuar mangësi të caktuara lidhur me sigurimin e të dhënave dhe menaxhimit e ujërave nëntokësor. Ajo shtoi se, për veç kësaj rreth 65 për qind e ujit për pije në vend, humbet në sistemet e vjetërsuara për furnizim me ujë për pije. Qeveria merr kredi nga Banka Evropiane për Investim për rinovimin dhe modernizimin e sistemeve për furnizim në të gjitha komunat.

“Me vite e dimë se humbjet e ujit janë të mëdha gjatë viteve të kaluara, për fat të keq një pjesë e madhe e komunave kanë sisteme të vjetërsuara për furnizimin me ujë. Në atë drejtim edhe kredia e dytë të cilin shteti e merr nga Banka Evropiane e Investimeve në vlerë prej 50 milionë euro, e cila duhet tu ndihmojë komunave në pjesën e furnizimit me ujë, nënkupton ndryshim të sistemeve ose për ndërtim të sistemeve të reja për furnizim me ujë, përsosjen e tyre dhe eventualisht, varësisht nga nevojat e komunave edhe për sistemet për akumulimin e ujërave fekale”, u shpreh Kaja Shukova, Ministre e Ekologjisë.

Faza fillestare e programit për menaxhimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e ujërave nëntokësor, e cila mbështetet nga Qeveria e Zvicrës do të kushtojë 530 mijë franga, ndërsa periudha e implementimit do të jetë nga janari i vitit 2024 deri në dhjetor të vitit 2027./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button