Tajson Fjuri do të ndeshet me Entoni Xhoshua-n vitin e ardhshëm, por vetëm nëse merr ofertën e duhur, lajm që konfirmohet nga promotori i tij Frank Uarren për “Sky Sports News”.
Më parë këtë muaj është raportuar se Fjuri dhe Xhoshua do të përballen më në fund në ring në vitin 2026, megjithëse kjo ende nuk është konfirmuar. Uarren këmbëngul se Fjuri është i gatshëm të ndeshet me Xhoshua, por se paratë duhet të jenë të mjaftueshme.
“Ajo që do ta inkurajojë Tajsoni është aspekti financiar i saj. Unë besoj se ai ka fituar më shumë se Entoni Xhoshua. Gjithçka ka të bëjë me vlerën financiare të sfidës. Është një përballje e madhe dhe ia vlen shumë parà. Tajsoni ka çmimin e tij. Nëse ai merr ofertën e duhur, do të jetë atje për t’u ndeshur me Xhoshua”, tha Uarren.
“Tajsoni do ta hedhë në nkouat Xhoshuan, e di që do ta fitojë duelin. Ai është një grushtues i fortë. Entoni Xhoshua nuk është i vështirë për t’u goditur. Paratë do të diktojnë se ku do të zhvillohet ndeshja, është kaq e thjeshtë. Ata do të shkojnë aty ku janë paratë, janë luftëtarë profesionistë, ata shkojnë në ring dhe pranojnë grushte për parà,” shtoi Uarren.
“Ata nuk janë ndryshe nga asnjë sportist tjetër, golfist, futbollist, kushdo qoftë ai, ata do të luajnë në çdo vend që mund të gjenerojnë më shumë të ardhura. Në boks, është një sport i rrezikshëm, karrierat e shumicës së boksierëve mbarojnë në moshën e këtyre të dyve. Nuk ka asgjë më të mirë se një ndeshje vetëm midis britanikëve, nuk ka atmosferë si britanikët kur ata hyjnë në një ndeshje, dhe kjo do të ishte shumë mirë. Por edhe audienca televizive do të ishte shumë e madhe“, përfundoi promotori i boksit.








