“Me rëndësi ishte të qëndroja i përqendruar dhe të mos dorëzohesha”

Rodri është rikthyer më në fund në fushë. Mesfushori i Man. Sitit, fitues i “Topit të Artë”, ka thyer heshtjen për kalvarin e gjatë, pas dëmtimit të rëndë në gju, që pësoi në shtator të vitit 2024, dhe e mbajti larg skenës për pjesën më të madhe të sezonit. Duke folur në një konferencë për shtyp me rastin e Kupës së Botës për Klube, mesfushori spanjoll shprehu gjithë emocionin e tij për këtë rikthim.
“Ndjehem shumë mirë, jam i lumtur që ndodhem këtu. Është një turne fantastik për të nisur sërish të luaj futboll, jam vërtet i entuziazmuar që jam përsëri pjesë e skuadrës”.
Rodri tregoi rrugëtimin e rikuperimit, duke theksuar rëndësinë e ekuilibrit mendor gjatë muajve më të vështirë.
“Ishte një proces i gjatë, por e dija që kjo ditë do të vinte. Kam preferuar të marr gjithë kohën e nevojshme. Më e rëndësishmja ishte të qëndroja i përqendruar dhe të mos dorëzohesha”.
I vetëdijshëm se kthimi në formën më të mirë do të kërkojë ende kohë, mesfushori përfundoi me besim.
“E di që do të më duhen muaj për t’u rikthyer në nivelin tim, por jam vërtet i lumtur që ndodhem sërish këtu”. Një sinjal inkurajues për Guardiolën dhe tifozët e Man. Sitit.