Më shumë vaksina për BE, dy fabrika të reja në punë

Fabrikat e reja të prodhimit të vaksinave në Gjermani dhe Holandë pritet të përshpejtojnë furnizimin me vaksinën, shpreson BE. Ndalimi i eksportit për Britaninë e Madhe konsiderohet madje si hap i vonuar.
Fabrika e vaksinës “Halix” në Leiden, Holandë arriti të premten e kaluar të marrë nga Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA lejen për prodhim. Në Leiden koncerni “AstraZeneca” prodhon prej javësh me intensitet të lartë, por certifikimin për këtë fabrikë koncerni suedezo-britanik e kishte kërkuar me vonesë tek EMA. Pse ka ndodhur kjo, nuk dinin të jepnin përgjigje as funksionarët e BE. Tani dozat e prodhuara ndërkohë nga AstraZeneca mund të shpërndahen më shpejt nga Leiden. Se sa doza vaksine ka aty nuk është e qartë, por eurokomisionerja për Shëndetësinë, Stella Kyriakides tha në Bruksel, se koncerni tani duhet të përmbushë shpejt detyrimet e tij. “Ne presim tani, që vaksinat që prodhohen në këtë fabrikë në ditët e ardhshme të shpërndahen tek shtetet anëtare, si pjesë e detyrimit kontraktor dhe pohimeve nga AstraZeneca për qytetarët në Europë.”